Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Kyle Scott tha se situata në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është shumë komplekse dhe se nuk është e dobishme që të dyja palët të fajësojnë njëra tjetrën.


Scott u tha gazetarëve në Beograd se është e nevojshme që të dyja palët të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të normalizojnë dialogun. “Uashingtoni dhe Brukseli pajtohen që të dyja palët t’i mbajmë të fokusura në këtë drejtim”, tha Scott.


Ambasadori amerikan në Beograd i bëri këto komente pas takimit me ministrin e Brendshëm të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq.
Ministri Stefanoviq tha se është mirë që SHBA-të dhe Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje për heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e autoriteteve të Prishtinës, mirëpo, sipas tij, ato duhet të bëjnë më shumë presion në këtë drejtim.


Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është ndërprerë pasi Qeveria e Kosovës vendosi tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës në nëntor të vitit të kaluar.

Serbia kundërshton pjesmarrjen në bisedime derisa tarifa të jetë në fuqi. Në anën tjetër autoritetet kosovare thonë se tarifën e heqin vetëm pasi të ketë njohje nga ana e Serbisë. Të dyja palët fajësojnë njëra tjetrën për kushtëzime të dialogut.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje që tarifa të shfuqizohet dhe dialogu të rifillojë sa më parë.