Studiuesi i njohur, Aurel Plasari, ka kujtuar ngjarjen e tmerrshme të 2 korrikut 1990. Plasari ka postuar në “Facebook” shkrimin e publikuar në atë kohë në një media të huaj, në të cilin tregonte gjithçka po ndodhte në Shqipëri.


“Nuk dihet numri i të vrarëve, as fati që i pret qindra të arrestuarit, shumica të rinj dhe adoleshentë. Në këto çaste të shtënat dhe arrestimet vijojnë. “Demokraci! Kriminelë! Tradhtarë! Hajdutë Zvicre!”: mes popullit thuhet se dinastia Hoxha, simbas modelit të Çausheskut, ka depozituar sasi të madhe ari në bankat e Zvicrës”, shkruante ndër të tjera Plasari, më 3 korrik të 1990.


Postimi i Plasarit:


“NATA HISTORIKE DHE TRAGJIKE E 2 KORRIKUT”

Kam qëlluar me fat që, pavarësisht frikës, kam mundur t’i tregoja Perëndimit së paku diçka nga të vërtetat e 2 Korrikut 1990. U botua në krye të faqes së parë të së përditshmes “El Mundo”, e diel 8 korrik 1990, e cila ma kërkoi nëpërmjet gazetares Elvira Huelbes, falë përdorimit të spanjishtes. E ribotuan mandej “Le Monde” etj.”. Kishim rënë dakord të botohej pa emër, ndërsa Elvira ma ka bërë dhuratë këtë ëmër të rremë, me gjasë ngaqë dinte prej Shqipërisë vetëm Ramiz Alinë dhe… Gjergj Kastriotin ;-) Po ashtu edhe vlerësimet për “Ramiz Kastriotin” janë të sajat, ndoshta që reagimi të ndikonte sa më fort.

* * *

“Ramiz Kastrioti, pseudonim për arsye sigurie i njërit prej intelektualëve kryesorë opozitarë të regjimit shqiptar, ka dërguar në Perëndim, nëpërmjet të dërguarës së posaçme të “El Mundos”-s në Tiranë Elvira Huelbes, tregimin e tij të jashtëzakonshëm si dëshmitar i pranishëm i ngjarjeve të ndodhura gjatë natës tragjike të 2 korrikut, kur policia shtiu kundër qindra qytetarëve që u orvatën të fitonin lirinë.
El Mundo”

* * *

Natën e kaluar të 2 korrikut aparati policor shqiptar mbërriti në përfundimin se imazhi dhe autoriteti i tij ndodheshin në rrezik serioz. Forcat e Sigurimit u vërvitën mbi të rinjtë që kishin bërë mend të “sulmonin” ambasadat perëndimore. Represioni ishte brutal, i një ashpërsie të paprecedent në katër dhjetëvjeçarë. Luftimi kishte nisur: ato orë do të mbeten në kujtesën e shqiptarëve si “nata tragjike e 2 korrikut”.

Forcat e armatosura, Policia, Sigurimi, – model besnik i Securitate-s, – dhe sambistët, – një forcë e re represive e lindur në kuadrin e regjimeve staliniste, me civilë të armatosur për masakrim e të paguar paq për një ekonomi mizerabël, – përbënin listën e xhelatëve gjakësorë që dolën për të krehur rrugët. D.m.th. për të qëlluar dhe masakruar me të shtëna mitralozi çdo qenie të gjallë që ndeshnin. Kështu zuri fill revolta. Njerëzit u mbrojtën me duar të zbrazëta. Disa tulla të harruara te porta e një selie diplomatike qenë e vetmja armë e tyre. Kriminelët e Ramiz Alisë ia dolën në krye: ishte një masakër, kështu e dëshmoj.

Nuk dihet numri i të vrarëve, as fati që i pret qindra të arrestuarit, shumica të rinj dhe adoleshentë. Në këto çaste të shtënat dhe arrestimet vijojnë. “Demokraci! Kriminelë! Tradhtarë! Hajdutë Zvicre!”: mes popullit thuhet se dinastia Hoxha, simbas modelit të Çausheskut, ka depozituar sasi të madhe ari në bankat e Zvicrës. E gjitha ndodhi vetëm një orë mbasi televizioni transmetoi disa deklarata të zv.ministrit të Punëve të Brendshme, i cili siguronte se regjimi do t’i jepte pasaportë gjithkujt dëshironte: “I dashur popull, duke filluar që tani, kush të ketë dëshirë mund të udhëtojë jashtë shtetit simbas normave të çdo vendi demokratik”. Po atë ditë “normat demokratike” u flakën në zjarrin që përfshiu Tiranën: nuk ka ndodhur asgjë, askush nuk ka thënë asgjë.

“Populli shqiptar e humbi frikën”, ky është, siç thonë shqiptarët, kryemotivi i këtyre ditëve të jashtëzakonshme. Për të parën herë mbas 45 vjetësh diktature më të hekurt komuniste, stalinizmi më të egër se ai i vetë Stalinit, qyteti i heshtur i Tiranës u përball me fuqinë ushtarake.

Kjo që ka ndodhur, i ashtuquajturi “rebelim i huliganëve”, simbas versionit zyrtar ishte nxitur nga agjencitë e huaja të lajmeve, agjencitë “antisocialiste”, dhe nga “gënjeshtrat e trasha” të tyre. Në të vërtetë, shkaku është pikësëpari ekonomik. Grupe të rinjsh që kërkojnë strehim politik në ambasadat e huaja dhe, për siguri më të madhe, në ambasadat perëndimore: kjo është forma e këtij rebelimi. Sinjali që hapi rrugën drejt lirisë erdhi nga ambasada italiane, ku vëllezërit Popa, të strehuar brenda mureve të saj prej pesë vjetësh, e zgjidhën fatin e tyre.

Disa ditë mbas vizitës së pakmëparshme të Pérez de Quéllarit në Shqipëri agjencia zyrtare ATSh njoftoi, duke e shpalosur haptas aftësinë e saj propagandistike, se Qeveria nuk kishte kurrfarë kundërshtimi që vëllezërit Popa të kërkonin pasaporta dhe të venin “ku të donin”.

Fill mbas kësaj, të ngritur peshë nga kundërshtia mes “performancës” shqiptare para Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe synimeve dinake të Qeverisë, filloi dyndja, e dhunshme dhe masive, e qytetarëve shqiptarë në ambasadat e huaja. Qenë hyrje spektakolare: grupe të rinjsh që duk donin t’ia dinin për “ligjin” hidheshin prej makinash të kamufluara me targa të Trupit Diplomatik, motoçikleta gati vetëvrasëse, kamionësh të stërmëdhenj që çanin me forcë mure e porta.

Shumë ia dolën në krye. Të tjerë u arrestuan dhe, simbas informacionesh të besueshme dhe tejmase sekrete, janë torturuar e masakruar. Në disa ambasada policia i ndoqi qytetarët deri në hollet e hyrjes, duke goditur pa mëshirë, duke shtënë si të çmendur. Një vajzë 20-vjeçare u kap ndërsa kapërcente murin e ambasadës kineze: me gjysmën e trupit brenda “tokës së askujt” dhe gjysmën tjetër skllav të regjimit.

Ky është tregimi i asaj nate korriku, që do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve, dhe i të tjerave net që na presin”.

“El Mundo”, e diel 8 korrik 1990

Plasari
Plasari

(BalkanWeb)