Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në një intervistë për “Real Story” në “News 24” duke folur për idenë e bashkimit kombëtar të shpalosur nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje  deklaroi se Shqipëria e Kosova nuk do të bëjnë Luftë të Tretë Botërore për t’u bashkuar.

Kurti theksoi se bashkimi do të vijë me hapa procedurialë, duke thënë se Vetëvendosje vazhdon të jetë kundër nenit të Kushtetutës së Kosovës, ku thuhet se Kosova nuk mund t’i bashkohet asnjë shteti tjetër.

Albin Kurti: Ne kemi thënë se sapo të vijmë në qeveri do të luftojmë korrupsionin, do të jemi në kuadër të institucioneve sa më të mira të Republikës së Kosovës. Ne vazhdojmë të kritikojmë nenin 1.3 të Republikës së Kosovës, ku nuk i lejohet të bashkohet me Shqipërinë. Ne nuk duhet që të vazhdojmë luftën e Tretë Botërore për t’u bashkuar me Shqipërinë. Kjo gjë do të vijë me kohën. Bashkimi kombëtar dhe BE nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Unë besoj se Shqipëria dhe Kosova të bashkuara i bëjnë mirë edhe BE. Shqiptarët kanë qenë të ndarë historikisht, me Perandorinë Osmane, me ish-Jugosllavinë, e ka ardhur koha të bashkohen në konstruksionin e Bashkimit Europian.

Politikanët e Kosovës nuk kanë folur me një zë dhe kjo ka bërë që Serbia të hyjë brenda Kosovës. Ne duhet të jemi bashkë kundër Serbisë, nuk jam kundër dialogut në parim, por jam kundër dialogut pa parime. Dialog po para zgjedhjeve në Serbi, por marrëveshja duhet bërë me kohën, se kemi çështje të hapura.  Ne iu bëjmë ballë marrëveshjeve të këqija. Unë besoj se me Serbinë duhen diskutuar nga borxhi i Kosovës e deri te njohja e Kosovës duke ndryshuar Kushtetutën e Serbisë, për të njohur Kosovën. Kushtetuta e Serbisë thotë në Kushtetutë se Kosova është pjesë e Serbisë dhe është absurde.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb