Kandidati i PD për deputet në qarkun e Peqinit Dashnor Sula i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama të bëra sot në Peqin, ku tha se nuk do lejohet që të kthehet sërish tek disa emra, mes tyre dhe i Sulës.
Kandidati i PD deklaron se Rama u kthye në vendin e krimit, në stadiumin e qytetit me të cilin u bë qesharak.
Sula e quan Ramën dështak dhe i bën një thirrje administratës të durojë dhe 6 ditë, teksa i jep fjalën se nuk do të lëvizë askush nga puna pas 25 prillit.
“Kryeministri Edi Rama u kthye sot në vendin e krimit, pikërisht në stadiumin e qytetit të Peqinit, aty ku tetë vjet më parë u bë qesharak së bashku me deputetin e tij për premtimet që bënë për ekipin e Shkumbinit. Ai i kërkoi votuesve të mos e rikthejnë Peqinin te Dash Sula, por nuk tha asnjë fjalë çfarë u bë me Shkumbini Channel dhe binjakëzimin e skuadrës sonë me Lacion. U ndala vetëm në këtë premtim grotesk të Ramës për shkak se përdori sot stadiumin e Shkumbinit, por nëse i hyjmë premtimeve dhe realizimeve të Rilindjes në këto tetë vjet në Peqin, i vetmi emër që e përkufizon Ramën është “dështak”. Meqë ai më përmendi sot, shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje gjithë administratës shtetërore në Peqin: unë i kam të ruajtura të gjitha mesazhet që më dërgoni ku denonconi presionin e shefave tuaj për të shkuar me zor nëpër mitingjet e Rilindjes. Shumë dashamirësisht u them të duroni edhe këto gjashteë ditë. Fjala ime e nderit është që nga 26 Prilli, askush nuk do guxoje t’u marrë më në telefon, e jo më t’u bëjë presion. Askush nga ju nuk do të lëvizë nga pozicioni i punës që ka, madje do të vlerësoheni për presionin që po përballoni, jo për fajin tuaj. U bëj thirrje të shkoni e të votoni NDRYSHIMIN në 25 Prill me garancinë që askush nuk do guxojë të merret me ju”, deklaron Sula.
Rama tha sot se në Peqin dhe në Elbasan kemi sfidën të realizojmë fitore shembullore, kuptimplotë, që të jetë rezultat i këtij shiu paralajmërues të kthyer në breshër në kutinë e votimit. “Kutitë janë momenti më i rëndësishëm për popullin, sepse shihet do të ngjitemi para apo do kthehemi mbrapa. Nuk do lejojmë të kthehesh tek Dash Sula, pasha Zotën. Por nuk kthehesh prapë as tek Basha, Saliu, Mona e Lika, sepse ato e duan Shqipërinë për vete, ne e duam për Shqipërinë. Më 25 prill të marrim një vendim të qartë, ta bëjmë shtëpinë të ardhmen tonë, të bashkuar nuk ka gjë që na ndal. Ne nuk na ndali dot tërmeti, virusi, nuk na ndal asgjë në rrugën tonë”, u shpreh Rama.