Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një mbledhje me të zgjedhurit lokalë demokratë, ku theksoi disa nga premtimet kryesore për përmirësimin e gjendjes ekonomike të shqiptarëve. Ai garantoi se do të rrisë rrogën minimale në 500 euro dhe do të ofrojë një paketë emergjence prej 200 euro për çdo qytetar, të cilat do të indeksoheshin me ligj në përputhje me inflacionin.

Berisha gjithashtu premtoi krijimin e një karte konsumatori për rikthimin e TVSH-së për produktet bazë, si dhe një ulje të çmimit të energjisë dhe ujit për qytetarët. Ai theksoi se do të ndërmerret një ndarje më e drejtë e të ardhurave, duke reduktuar pagat e larta dhe duke rritur ato më të ulta për të zvogëluar pabarazinë.

Në lidhje me sektorët e shëndetësisë dhe arsimit, Berisha premtoi programe transformuese dhe mbështetje për të përndjekurit politikë dhe pronarët. Ai gjithashtu premtoi të ulte çmimin e naftës dhe të përmirësojë kushtet për qytetarët.

“Pra, kjo është gjendja. Mund të flasim gjer nesër, por ne kemi zgjidhjen, ne me qytetarët do flasim për zgjidhjen.
Ne kemi zgjidhje të sigurta.
Dhe ne, iu garantoj ju se kurrë ndonjëherë nuk e kemi ndryshuar këtë vend më shpejt se sa do e ndryshojmë pas 11 majit.
3 muajt e parë ne vendosim paketën e emergjencës, 200 euro për çdo shqiptar dhe këta janë qindra mijëra.
Çfarë do të thotë 200 euro, është shumë? Jo, pak është. Por nuk ka më mjerim.
Me 200 euro ne i themi mjerimit nuk ke vend në Shqipëri.
Me 200 euro për person ne japim mundësi që çdo qytetar t’i ketë gjërat bazë, të mos ketë lista, të ushqehet dhe nuk është kaq.
Ky 200 euro do indeksohet me ligj, pra do indeksohet në përputhje të plotë me rritjen e çmimeve.
Jo vetëm kaq, ky 200 euro do shoqërohet me kartën e konsumatorit. Kjo do të thotë që të gjitha gjërat bazë që do blihen me TVSH, do u rikthehte TVSH-ja.
Thamë, ne do përmbysim shpërndarjen e të ardhurave në Shqipëri. nuk shkohet kështu. Po krijohej një hendek i tmerrshëm i cili ose po i përpinte në mjerim, ose po i degdiste shqiptarët nga Shqipëria.
Tani ne jemi në emergjencë ndaj dhe çdo rrogëulët, çdo person me 200 euro, çdo pensionist do ketë kartën e konsumatorit.
Sa është kjo? Specialistët thonë se është rreth 3 pensione, pra rreth 450 mijë lekë.
Nuk do jetë vetëm kaq. Energjinë elektrike, do rikthehet fasho e mbrojtura, jo me 77 sa ka qenë në vitin 2013, por me 70 lekë.
Do proporcionohet edhe çmimi i ujit. Se çfarë bënë këta? Këta për rrogat e larta u kujdesën në mënyrën më të zellshme. Këta rritën rrogat e larta në Shqipëri sa në Slloveni. Sllovenia ka rrogat më të lartat në rajon, në Shqipëri ka rroga të larta më të larta se në Slloveni. Nuk e bën asnjë qeveritar i përgjegjshëm këtë.
Pra, do shpërndahen të ardhurat. Natyrisht rrogat e larta nuk do rriten gjersa të arriten në proporcionin 4 me 1. Sot është 10, nuk duhej të ishte kurrë kështu.
Tani kemi rrogën minimale. Rroga minimale, për fat të keq është rrogë dominuese në Shqipëri, nuk do jetë më nën 500 euro. Jo. Çdo punëdhënës duhet ta dijë se nuk do mund të paguajë më në territorin e Shqipërisë njeri nën 500 euro. Po vendosim një standard që e ka çdo vend demokratik. Madje vendet e tjera e kanë me orë punë. Kjo është barrë për sipërmarrësit, por i garantoj se do lehtësohen me taksat, me tatim-fitimin, me taksën e importeve, me sigurimet shoqërore. Dhe natyrisht nuk do jetë i humbur nga vendosja e kësaj rroge. Por kjo rrogë do vendoset. Shqiptarët nuk do mund të paguhen më nën 500 euro.
Pra, ne do kemi programin tonë për të përndjekurit politikë.
Kemi punuar, por tani së shpejti do kemi një tryezë për ta se duam të dëgjojmë sugjerimet e tyre.
Do kemi programin tonë për pronarët. Janë rikthyer ligjet e vitit 1945 këtu. Po, po! Marrin fund ato.
Do kemi programin tonë për shëndetësinë, për arsimin. Programet tona do jenë transformuese.
Askush nuk duhet të ketë mëdyshje. Në një buxhet 8.2 miliardë euro, të lësh 16 milionë për pensionistët, nuk ka akt më cinik dhe të pashpirt.
Nafta, ua thashë, nuk do mund të shitet më shtrenjtë, plus minus 10 përqind se Kosova dhe Maqedonia. Ne prodhojmë 1 milion ton, Kosova dhe Maqedonia nuk prodhojnë një kovë naftë. E marrin në Durrës dhe u del më lirë atyre 30-40 përqind.
Pse e bëra këtë analizë? Duhet ta bëni kudo sepse ne më të vërtetë ne mund ta transformojmë shpejt Shqipërinë.
Shqipëria ka nevojë për shpejtësi, ka nevojë për ndryshime të shpejta.
Ne rikthejmë shpresën, pastaj një seri programesh të tjera.
Por të gjitha këto kërkojnë angazhimin tuaj çdo ditë, 24 orë, 7 ditë të javës”, u shpreh Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb