Banorët e Zall Herrit janë hedhur sërish në protestë, duke bllokuar edhe rrugën ku kalojnë kamionë me inertë, por edhe automjete të tjera.
Gazetari Igli Çelmeta ka siguruar për BalkanWeb pamjet ku shihet se si protestuesit kanë vendosur gurë të mëdhenj, për të penguar qarkullimin në rrugën që sipas tyre është dëmtuar nga kamionët që punojnë në guroret e zonës.
“Në maj deputeti ishte për fushatë këtu, dhe nuk flet. Njësia jonë vjen për të marrë lekët për ditë të hëne se ditë të tjera nuk vijnë në punë. Do rrimë këtu deri sa të zgjidhet problemi. Këtu jetojnë njerëz.
Duam ujë dhe rrugë, dy çështje themelore. Ata thanë se turbullohet nga shiu, po sot që s’ka shi pse është i turbullt uji? Të gjithë këtë problem po e krijojnë kamionët. Nuk ka pasur asnjë reagim. Ka ardhur vetëm deputeti i zonës, kemi bërë një takim.”, tha një prej protestuesve.
Ndërkohë një e moshuar shtoi se; “I bëjmë thirrje Xhemal Qefalisë, deputetit, që të vijë këtu dhe të japë llogari, ose të lërë mandatin. Ata në shtëpinë e tyre, e kanë marrë nga këtu ujin dhe kanë, kurse unë s’kam pikë uji. Ne ja dhamë votën Veliajt me na ndihmuar, por jo Edi Ramës dhe Qefalinë, që të bëjnë ç’të duan. Na ndihmoni!”.
Kjo nuk është hera e parë që banorët e kësaj njësie administrative protestojnë, për mungesë të infrastrukturës si dhe ujit të pijshëm.
(BalkanWeb)