TIRANË- Gjenerali 99-vjeçar Rrahman Parllaku ka folur në “Studio e Hapur” në News24 edhe për pasardhësit e ish-drejtuesve komunist, disa prej të cilëve janë sot në pushtet. Ai tha se nuk do të përziejë njerëzit që i shërbyen diktaturës me pasardhësit e tyre dhe as nuk i dënon. Ndërsa shtron pyetjen se çfarë bënë ata që nuk janë pasardhës të komunizmit?!

Çfarë mund të thoni për pasardhësit e atyre që dikur ishin në regjimin diktatorial që po qeverisin sot?
Eni unë po jetoj 100 vjetët dhe nuk dua të përziej njerëzit që i shërbyen diktaturës me pasardhësit e tyre. Nuk është e njëjta gjë. Nuk hyj t’i dënoj pasardhësit e tyre. Unë nuk dënoj ata që nuk kanë bërë faje ndaj popullit. Ka pasur edhe fëmijë që kanë dalë kundër prindërve të tyre. Ata që kanë përfituar nga prindërit e tyre do ruajnë kujtimet e prindërve të tyre, ata që kanë vuajtur nga regjimi do ruajnë kujtimet e tyre.

Mendoni që janë aty për shkak të prindërve, trashëgimisë?
Nuk mund të thuash…Ata ruajnë kujtimet për njerëzit e tyre dhe patjetër erdhën në pushtet kur kishin një moshë të pjekurisë. Duhet të kishin një analizë më të plotë për fajësinë e prindërve të tyre dhe jo gjithnjë kjo ndodh dhe veçanërisht tek ne që kemi pasur një trashëgim të patriarkalizmit. Këta fëmijë ndoshta mund ta ruajnë këtë patriarkalizëm por unë nuk mund t’i fajësoj. Edhe ata që nuk janë pasardhës të këtyre familjeve çfarë po bëjnë? Pse kur erdhën nuk i ruajtën dokumentet e komunizmit por i lanë të shpërdoroheshin.

Për Rrahmanin mund të kenë shkruar 30 gazeta por nuk kanë dalë çfarë ishin ata që i shërbyen diktaturës, çfarë krimesh bënë.

Kush i shpërdoroi dokumentet, kush i posedonte?
Ka edhe prej atyre që janë më prejardhje të personave të diktaturës që i përdorin për interesa të tyre në publikimin e shtypit dhe në emisione që janë marrë në dokumente që nuk duhet të shpërdoreshin por duhet të ruheshin për të bërë drejtësi.

Ju keni kërkuar që t’i hiqen të gjitha dekoratat Enver Hoxha?

Unë kam qenë drejtor i personelit në vitet 47-48 dhe atëherë janë dhënë në masë dekoratat. Dekoratat e Enver Hoxhës kam kërkuar publikisht. Nuk mund të kem dhe unë viktima dhe xhelatit i popullit ‘hero i popullit’. Unë po marr veten time nuk po marr ata që shkuan në plumb. Të njëjtat dekorata mban xhelati dhe viktima. Presidenti nuk ka të drejtë të heqë dekoratat por gjyqi ka të drejtë t’i heqë. Gjyqi nuk ua heq të vdekurit. I vetmi organ që kishte fuqi t’i hiqte dekoratat Enver Hoxhës dhe t’ia heqë është parlamenti.

Çfarë përgjigje morët?
Përgjigje mora nga kryetari i Kuvendit që më tha se asnjë nga krerët e grupeve parlamentare nuk ka kërkuar që të prononcohet.

Si u ndjetë për këtë përgjigje?
Si mund të ndihesh kur kërkon një të drejtë dhe nuk të jepet, dhe nuk të plotësohet. Nuk plotësohet në kushtet kur nuk ekziston diktatura. Po jetojmë në një vend që quhet demokratik. Akoma po ruhen nuancat e një pushteti diktatorial. Nuk them që në Shqipëri nuk është bërë gjë, është bërë boll. Edhe në kohën e diktaturës u bënë shumë, u bënë HEC-e, u thanë kënetat, u zhdukën sëmundjet. Edhe pas kësaj ata që u arratisën dhe vuajtën në dyert e botës e kanë ndërtuar e kanë bërë. Puna është sa ne e vlerësojmë këtë dhe sa shteti vetë përpiqet që t’i ndihmojë këtij zhvillimi.

Ju keni shprehur kritika për figurën e Enver Hoxhës dhe thoni se nuk pati rol konkret në luftën NAÇL. Pse ia doli t’i marrë të gjitha meritat dhe ia doli t’iu vrasë dhe burgosi të gjithëve?
Enver Hoxha është udhëheqës politik i luftës jo komandant. Si doli? Prapë është dora e jugosllavëve, manipulimi që ai pati aftësi. Arriti të fitojë besimin e tyre dhe doli në krye. Bashkë me Miladin Popoviç fitoi besimin e tyre dhe ai e nxori në krye të partisë sonë.

Gjatë kohës së diktaturës janë vrarë e burgosur të gjithë gjeneralët. Si ju mundi Enver Hoxha të gjithëve?
Duhet të keni parasysh se proceset nuk janë të një dite. Po ta merrni historikisht deri në gjyqin tonë asnjë nga ata që është dënuar nuk ka shkuar nga plenumi në burg. U përjashtua Sejfulla Malishova, e çoi ministër të arsimit, sa t’i binte nami si udhëheqës. U dënua Tuk Jakova, e bëri zv.ministër të financave pastaj e çoi në burg. Kjo ka shkuar brenda një rrethi të ngushtë që ishte byroja politike.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb