Arjon Hasaj ka pranuar se ka qenë ai personi që ekzekutoi Ramazan Matajn, 33 vjeç, mbrëmjen e 4 janarit në fshatin Dragoç të Postribës, në Shkodër. Autori është ndihmuar nga vëllai i tij, Klisman Hasaj dhe të dy ata janë arrestuar nga Policia e Shkodrës.

Klisman Hasaj akuzohet se ka ndihmuar vëllan e tij, për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit, të cilën fillimisht e fshehën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës.

Por, i riu ka mohuar përfshirjen në krim duke u shprehur se nuk ka pasur dijeni për kurthin e ngritur nga Arjon Hasaj për të ekzekutuar 33-vjeçarin, sipas tij, për nderin e së motrës.

Megjithatë, blutë duket se kanë dyshime të forta për përfshirjen e të dy vëllezërve, pasi pas ngjarjes së rëndë policia vendore e Shkodrës ka kryer përgjime në banesën e familjes Hasaj.

Gjatë përgjimeve dy vëllezërit kanë folur për vrasjen e realizuar nga Arjoni si dhe në një moment del se autori kryesor Arjon Hasaj është penduar që kishte fshehur armën dhe ka shkuar duke e marrë sërish dhe duke e groposur në oborrin e shtëpisë për ta patur për siguri.

Pas këtyre përgjimeve policia arrestoi dy vëllezërit Hasaj si autor të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ramazan Mataj. Policia ka marrë në pyetje edhe familjarë të tjerë të viktimës dhe autorit të dyshuar ndërsa vijon punën për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë.

Dëshmia e autorit Arjon Hasaj: “Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6 vitesh ai kishte një lidhje me motrën tonë. Ramazani është personi që i ka prishur dy martesa motrës në 6 vitet e fundit. Ai këtë histori ia ka treguar shumë personave në fshat dhe më gjërë ndërsa është personi që divorcoi dy herë motrën tonë.

Madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish burri i dytë dhe tek njerëz të tjerë në fshat në momente intime me motrën. Unë hapa një llogari false në instagram me emrin e një vajze dhe lashë një takim me Ramazan Mataj. Ai erdhi dhe aty e qëllova me armë zjarri. Më pas armën e fsheha disa metra më tutje nga vendi ku e vrava. Pas vrasjes jam larguar me biçikletë drejt banesës. Armën e kam patur në shtëpi prej disa kohësh. Motra ka disa kohë që nuk jeton në banesën tonë, jetonte në Shkodër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb