Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj në Konventën e partisë në Itali, përpara shqiptarëve që jetojnë në vendin fqinj tha se partia Mundësia ofron zgjidhje për shumë probleme që ka sot Shqipëria.
Shehaj tha se shqiptarët të bashkuar do ia dalin. Ai shtoi se zgjidhja e situatës kalon përmes rritjes ekonomike. “Më pak shtet, më tepër liri dhe më shumë para”, deklaroi Shehaj.
Pjesë nga fjala e kryetarit të partisë Mundësia, Agron Shehaj:
“Zgjidhja kalon nëpërmjet rritjes ekonomike: më pak shtet, më shumë liri, më shumë para.
Ja çfarë do të bëjmë:
Një qeveri të pakorruptuar, më të vogël, më të thjeshtë, më efikase!
- Më pak burokraci! Më pak zyrtarë të panevojshëm dhe të korruptuar.
- Kushdo që kapet me dorën në thes, do të përfundojë aty ku e ka vendin: para drejtësisë, jo në Parlament!
- Politika nuk mund të jetë vendi ku pasurohen banditët!
Do hapim tregun, do të ketë më shumë mundësi për biznesin dhe për ju!
- Do ta çlirojmë ekonominë nga pushtetarët dhe ortakët e tyre oligarkë.
- Shqipëria do të bëhet parajsa e sipërmarrësve, jo vendi ku biznesi shkatërrohet nga politikanët e korruptuar!
- Do luftojmë dhe do zhdukim monopolet.
Një shtet i vogël, një qeveri e pakorruptuar dhe një ekonomi e hapur do të sjellë:
Më shumë para në xhepat e qytetarëve.
Më shumë para në arken e shtetit.
Më shumë para për shërbimet: shëndetësi, arsim, pensione, ndihmë sociale, subvencione.
Boll më me mashtrime!
Nuk është e vërtetë që nuk ka zgjidhje për problemet e Shqipërisë!
Zgjidhje ka, por jo me këtë qeveri, jo me këtë sistem që mbron oligarkët dhe i lë shqiptarët pa shpresë! Zgjidhje ka dhe ne e dimë se si ta bëjmë.
Për çdo problem, Partia Mundësia e ka një zgjidhje:
Për çmimet e larta: Çmimet mund të ulen duke luftuar monopolet dhe duke garantuar konkurrencë të ndershme.
✅ Pagat rriten duke hapur tregun dhe duke çliruar biznesin e ndershëm nga Shteti.
✅ Shëndetësia mund të përmirësohet duke hequr PPP-të e korruptuara dhe duke investuar në spitale.
✅ Pensionet rriten kur kemi një ekonomi të fortë, jo kur vjedhin fondet publike.
✅ Fermerët mund të ndihmohen nëse fondet shkojnë për ta, jo për xhepat e ministrave.
“Rrugëtimi ynë nuk do të jetë i lehtë! Do të kërkojë punë, sakrificë dhe këmbëngulje.
Por ne do ia dalim!
- Do ia dalim sepse kemi të drejtë!
- Do ia dalim sepse kemi një vizion të qartë!
- Do ia dalim sepse shqiptarët kërkojnë ndryshim të vërtetë!
E ardhmja e Shqipërisë është në duar tuaja!
Kjo është koha për të ndërtuar një Shqipëri moderne!
Një Shqipëri ku ka mundësi për të gjithë.
Një Shqipëri që iu respekton si qytetarë, iu garanton të drejtat, iu jep mundësi të investoni, të riktheheni në shtëpinë tuaj.
Një Shqipëri ku të jetoni me dinjitet!
Të bashkuar, të fortë, të vendosur, së bashku do ia dalim”, mbylli fjalën e tij Shehaj.
(Balkanweb)