Së shpejti do të nisë puna për rrugën e re drejt Parkut Kombëtar të Qafështamës. Lajmin e dha Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, e cila u shpreh se rruga së re me gjatësi prej 2.8 km që lidh zonën e Krujës me atë të Matit i jep një mundësi të madhe zhvillimit turistik.

“Përmes këtij projekti i hapet një rrugë e gjerë formave të ndryshme të zhvillimit turistik me karakter sportiv, alpin; zhvillimin bujqësor, te cilat do të ndihmonin në zhvillimin ekonomik të zonës ku përfitues janë mbi 5120 banorë të fshatrave përreth, si dhe rreth 24 000 banorë të zonës së bashkive Krujë e Mat që lidh kjo rrugë. Këtë rrugë do ta bëjmë jo vetëm thjeshtësisht të aksesueshme por edhe piktoreske, me një mjedis piktoresk për të pushuar, për të shijuar dhe kënaqur me pejsazhin e këndshëm me qëllim që të promovohet Parku Kombëtar i Qafshtamës si një resurs kombëtar ende i pashfrytezuar në maksimumin e potencialit të vet”, tha Ministrja Gjermeni.

Projekti synon përmirësimin e transportit dhe infrastrukturës ndërlidhëse: Qaf Shtamë (Bashkia Krujë) – Burrel (Bashkia Mat), pjesë e Parkut Kombëtar i Qafshtamës. Kjo rrugë e ndërtuar që në vitet 1930 si pjesë e aksit Tiranë-Krujë-Burrel-Lis-Peshkopi është në gjendje tërësisht të amortizuar.

Projekti me një vlerë investimi prej 30 milionë lekësh parashikon rindërtimin e rrugës ekzistuese, si dhe evidentimin, restaurimin e pjesës së mbetur nga rruga e vjetër.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb