Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zhvilloi një vizitë pune në Gjermani, ku u prit nga ministri i Brendshëm Federal, Horst Seehofer. Qëllimi i vizitës ishte forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe diskutimi mbi mbështetjen e Gjermanisë Federale ndaj aspiratës së Shqipërisë për t’u integruar në BE, çështje për të cilën ministri Seehofer shprehu mbështetje të pakufizuar.

Ministrat folën edhe për çështje që lidhen me sigurinë dhe luftën kundër krimit të organizuar, si dhe asistencën që mori përsipër pala gjermane pēr trajnime të oficerëve dhe ndihmë infrastrukturore për Policinë Shqiptare.

Fjala e ministrit Lleshaj pas takimit:

“Sapo kemi përfunduar sot një takim shumë të rëndësishëm, të shkëlqyer, me Ministrin Federal të Brendshëm të Republikës Federale të Gjermanisë. Gjatë këtij takimi pata rastin të konstatoj me kënaqësi të madhe se Gjermania e mbështet në mënyrë të pakushtëzuar aspiratën europiane të Shqipërisë. Ministria e Brendshme gjermane mbështet dhe shprehu gadishmërinë për ta shoqëruar udhën tonë drejt Bashkimit Europian edhe në aspektin e bashkëpunimit midis Policive tona përkatëse. Ishte një takim i cili tregoi qartë simpatinë e veçantë që Gjermania ka për përpjekjet e popullit shqiptar në drejtim të integrimit të tij në familjen europiane.

Ministri i Brendshëm gjerman shprehu mbështetje të pakushtëzuar edhe ndaj udhës europiane të Shqipërisë, edhe ndaj përpjekje për reformimin e strukturave të sigurisë, veçanërisht të Policisë së Shtetit.

Konstatuam me kënaqësi një nivel të shkëlqyer të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, kryesisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, në fushën e menaxhimit të kufijve, në fushën e Policisë në tërësi dhe në fushën e arsimimit në veçanti.

Përcaktuam dhe drejtime të rëndësishme për zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh me Gjermaninë kryesisht në fushat e sapopërmendura, por me theks të veçantë u theksuan nevoja dhe vullneti për ta thelluar bashkëpunimin në fushën e arsimimit të Policisë, pra të oficerëve të Policisë së Shtetit.

Së shpejti do të hapim mundësi për dërgimin e oficerëve të Policisë së Shtetit në institucionet e trajnimit dhe të arsimimit në Gjermani, me qëllim që të japim një impuls të ri në këtë drejtim.

Me oficerë të kualifikuar sipas standardeve perëndimore, ne do të jemi në gjendje të kryejmë detyrat e Policisë ashtu siç duhet, sipas këtyre standardeve. Faleminderit!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb