SHKODËR
Gjykata e Shkodrës ka dhënë sot masën e sigurisë për pesë personat e arrestuar gjatë operacionit “Prekalori” ku u sekuestruan 205 kg drogë. Gjykata ka vendosur të lërë në burg shtetasit Zef Kola, Kristian Melaj dhe Genc Meçaj. Kola dyshohet se ishte kreu i grupit të strukturuar kriminal ndërsa Meçaj bashkëpunëtori kryesor.
Ndërsa për shtetasit Elvis Hysaj dhe Xhusepe Melaj gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Pesë personat sipas policisë, ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në fushën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Arrestimi i pesë personave është kryer pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin po kryenin shkëmbimin e lëndës narkotike, me qëllim përfitimin.
Sasia e lëndës narkotike është gjetur në një fugon, në prani të shtetasve Zef Kola dhe Genc Meçaj, të cilët do të kryenin shkëmbimin e lëndës narkotike, ndërsa të arrestuarit e tjerë, sipas policisë ishin bashkëpunëtorët e këtyre të fundit, ku gjithsecili kishte rolin e vet në këtë aktivitet kriminal.
Ky operacion u zhvillua në bazë të hetimeve të kryera, mbi këtë grup kriminal, i cili kryente organizimin, financimin, transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike (marijuanë) nga qyteti i Koplikut në drejtim të Malit të Zi dhe më gjerë.
Gjatë veprimeve të mësipërme u sekuestrua automjeti tip fugon; lënda narkotike me peshë 205 kg; 4 automjete të markave të ndryshme dhe 5 telefona celularë.
(BalkanWeb)