Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës njëherësh zv/kryetar i Kuvendit, Enver Hoxhaj tha sot se “bashkëpunimi mes dy kuvendeve dhe qeverive duhet të jetë çdo herë prioritet i çdo politike në Kosovë dhe Shqipëri”.

Në fjalën e tij në seancën e përbashkët plenare mes Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë Hoxhaj tha se “nuk ka mënyrë më të mirë për ta përmbyllur mandatin e këtij kuvendi. Në qeverinë e ardhshme të Kosovës të kësaj legjislature se sa kjo seancë e përbashkët e të dy kuvendeve tona”.

“Kjo seancë e përbashkët e kuvendeve tona shpresoj është ogur i mirë që në qeverinë e ardhshme të Kosovës bashkëpunimi me Shqipërinë të jetë prioritet i parë dhe jo i fundit sikurse ka qenë vitet e fundit. Shqipëria për ne është binjaku identitar dhe historik dhe demografik i Kosovës”, tha Hoxhaj.

Më tej Hoxhaj u shpreh se “për Kosovën Shqipëria është një partner i natyrshëm strategjik, por të dy republikat tona duke i takuar një kombi nuk janë asgjë tjetër veçse zgjerim, zgjatje e natyrshme e njëra-tjetrës. Kjo ka qenë arsyeja pse para 10 viteve jo në dhjetor, por në janar jo në Prishtine e Tiranë, por në Prizren në kryeqytetin historik të shqiptarëve nën udhëheqjen e kryeministrit Thaçi e Rama u mbajt mbledhja e parë e të dy qeverive. Nuk ka qenë një mbledhje e thjeshtë mes dy qeverive, por ka qenë shpallje e një partneriteti strategjik, i cili vazhdon dhe sot e kësaj dite me më shumë mbledhje që kanë zhvilluar qeveritë e dy vendve”.

“Shqipëria ka dhënë një mbështetje të shumanshme ndaj Kosovës sepse pa Shqipërinë s’do të kishte as liri, as pavarësi”, tha Hoxhaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb