TIRANE

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të gjykohet tek Krimet e Rënda. Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të mos pushojë çështjen siç kishte kërkuar ish-ministri dhe të nisë gjykimin e çështjes ‘Tahiri’.

Seanca tek Krimet e Rënda zgjati përreth 8 orë. Ish-ministri Tahiri ka kërkuar pushimin e çështjes nga gjyqtarja por në rast se kjo kërkesë nuk aprovohet, Tahiri kërkon gjykim të shkurtuar por pa pranuar fajësinë në gjendjen që janë aktet, që të mos ketë zvarritje të çështjes.

Prokuroria për Krime të Rënda i mbylli hetimet më 28 shkurt dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

“Sigurish që situata ka qenë e ashpër me mjaft tension dhe me mjaft kërkesë llogarie nga ana e Tahirit, i cili insiston dhe pretendon se është i pafajshëm dhe sipas tij procesi është një maskaradë. Edhe pse zoti Tahiri refuzon kategorikisht të shqiptojë emra, politikanësh apo biznesmenësh apo persona të tjerë, të cilët fshihen pas këtij procesi maskaradë.

Personalisht e kam pyetur Tahirin se kush fshihet pas këtij procesi dhe kush e sulmon Saimir Tahirin por ai tha se ka plot kohë për t’i thënë këto gjëra dhe se do flasë në të ardhmen. Do të flasë për gjithçka di.

Por në fakt çfarë pretendon prokuroria.Çfarë kanë këmbëngulur prokurorët gjatë seancës paraprake. Treshja e Prokurorëve  nga burimet që disponojmë ka pretenduar se zoti Tahiri ka përfituar dhurata nga grupi kriminal Habilaj duke i krijuar atyre lehtësi në trafikun e hashashit nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Gjithashtu Prokurorët rendisin si fakt disa përgjime telefonike të realizuara nga autoritetet italiane, flasin për disa byzylykë me diamantë të blerë për familjen e zotit Tahirit. Gjithashtu pretendohet si fakt dhe provë ndaj Saimir Tahirit fakti që Habilaj ka marrë një skaf që ka përdorur Tahiri në një udhëtim drejt shtetit grek dhe më pas drejt Italisë me një shumë prej 30-mijë eurosh.

Gjithashtu përdoren edhe si prova disa letërporosi të ardhura nga Mali i Zi, ku zoti Tahiri ka kryer një udhëtim me jaht drejt Italiisë. Janë disa të dhëna që mbahen sekret por sipas prokurorëve dëshmojnë dhe e fajsësojnë zotin Tahiri në favorizimin e grupit kriminal Habilaj.

Megjithatë Tahiri mohon kategorikisht këto akuza. E pyeta personalisht Tahirin se nga një ministër kampion siç e cilësoi dikur,nga kryeministri i vendit zoti Rama në një ministër të pandehur. Si ndihet ai? Por zoti Tahiri vijon të këmbëngulë se do mbetet një ministër kampion dhe  se do ta fitojë betejën e jetës së tij dhe do dalë në fund pafajshëm.

Megjithatë kalvari i gjyqeve për Saimir Tahirin fillon pikërisht tani brenda pak ditësh. Gjykata pritet që dosjen Tahiri ta hedhë në short, ku do përcaktohet pala gjykuese që do shqyrtojë çështjen.

Fillimisht Saimir Tahiri dhe tre të pandehurit kanë kërkuar pushimin e çështjes. Megjithatë në rast se gjykata nuk e do e pranonte këtë kërkesë, zoti Tahiri ka rezervuar të drejtën që të kërkojë gjykim të shkurtuar. Por në fakt për ta sqaruar gjykimi i shkurtuar nuk lidhet automatikisht dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë  me pranimin e fajësisë. Saimir Tahiri ka kërkuar gjykim të shkurtuar që të mos zvarritet përballja me drejtësinë. Por kërkon të gjykohet me akte që janë në dosje duke refuzuar kategorikisht pranimin e fajësisë. “, u shpreh gazetarja Klodiana Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb