Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike po zhvillon një takim në selinë blu.

Gazetari Osman Stafa raporton se takimi ka në fokus aksionin që do të ndërmerret sot në seancën plenare, referuar faktit që ende një numri lartë deputetësh është i përjashtuar me vendim të Sekretariatit të Etikës.

Kujtojmë se në seancat e mëparshme ka pasur tensione në hyrje të Kuvendit, me përplasje të deputetëve të përjashtuar dhe Gardës e cila nuk i lejonte të hynin në sallën ku zhvillohej seanca plenare.

Disa seanca më parë deputetët e opozitës tentuan të ndalojnë edhe kolegët e tyre të mazhorancës të futen në Kuvend për të mos lejuar mbajtjen seancës, por socialistët hynë nga dera e sigurisë dhe në seancën pasardhëse shkuan në Kuvend më herët se orari i caktuar për seancë, në mënyrë që të shmangnin tensionet.

Rendi i ditës: 

Sipas njoftimit të Kuvendit, seanca plenare pritet të nisë në ora 10:00 nën drejtimin e zëvendëskryetarit të Kuvendit Çuçi.

Pas miratimit të procesverbalit të seancës plenarë të datës 28 tetor 2024, do të diskutohet projektligji “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.

Në rend dite është parashikuar diskutimi për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë” si dhe projektligji për një ndryshim në ligjin, “Për fondin kullosor”, i ndryshuar.

 

 

Gjatë seancës plenare do të diskutohet edhe dekreti i kthyer nga presidenti Bajram Begaj, për ligjin “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

Po ashtu në rend dite është edhe projektvendimi “Për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor “Për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up-it në Shëndetësi” si dhe projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimin e pagave të personelit me kohë jo të plotë pune të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb