TIRANË

Pas rreth 2 orë e gjysmë protestë tek parlamenti, kryedemokrati Lulzim Basha iu ka kërkuar protestuesve të shkojnë së bashku drejt KQZ-së, ku sipas tij do dorëzohen qindra mandate. KQZ ndodhet pranë katedrales ortodokse. Menjëherë ka reaguar edhe policia e cila ka formuar kordonë rreth KQZ-së. Pas mbërritjes Basha ka negociuar me policët dhe iu ka kërkuar të mos provokojnë protestuesit. I shoqëruarn nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, kreu i PR-së Fatmir Mediu dhe sekretari i përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, Basha ka hyrë brenda KQZ për të dorëzuar refuzimin e mandatit nga dhjetëra kandidatë.


Më herët ka pasur flakë e tym tek parlamenti, Protestuesit i vunë zjarrin gomave dhe karikaturave të bëra për kryeministrin Edi Rama dhe zona e protestës është mbuluar nga tymi. Po kështu ata kanë lagur me ujë efektivët e policisë dhe kanë hedhur ndaj tyre sende të forta e drurë. Potestuesit hedhin vazhdimisht shashka e tymuese në oborrin e parlamentit dhe me vuvuzela kërkojnë largimin e kryeministrit. “Rama ik!” kanë qenë thirrjet e tyre. Ndërkohë një ambulancë ka marrë me barelë një prej protestuesve i cili është ndjerë keq.

Protesta Lsa (1)
Protesta Lsa (1)

Opozita e bashkuar proteston sot sërish kundër qeverisë. Protesta ka nisur në orën 10:00 në të njëjtën kohë kur Kuvendi zhvillon  seancën plenare.

Kjo është e katërta protestë e opozitës që prej 16 shkurtit. E para pati konfrontime dhe tentativë për të hyrë në Kryeministri, ku u thyen xhamat e dyerve dhe u përdor masivisht gazi lotsjellës nga ana e policisë. Protesta e dytë u zhvillua paqësore dhe kulmoi me dorëzimin e dorëheqjeve nga mandati në Kryesinë e Kuvendit.

Protesta e tretë u zhvillua një javë më parë, më 26 shkurt ku sërish pati situatë të tensionuar dhe gaz lotsjellës nga ana e forcave të rendit, raporton “BalkanWeb”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Basha, Kryemadhi, Mediu dhe Bardhi çajnë kordonin e policisë, futen brenda KQZ

Ora 12: 50-Forcat e policisë formojnë kordonin para KQZ-së për të mos lejuar depërtimin e protestuesve brenda
në institucion. Pavarësisht kordonit të policisë  kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, kreu i PR-së Fatmir Mediu dhe sekretari i përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, Basha ka hyrë brenda KQZ për të dorëzuar refuzimin e mandatit nga dhjetëra kandidatë.

Pas fjalimit, kandidatja që refuzoi mandatin ndihet keq

Ora 10:50- Një nga kandidatet në listat për deputetë nga opozita dhe që refuzoi të marrë mandatin është ndjerë keq pas fjalimit të saj.

Kandidates për deputete i ka ikur zëri gjatë fjalimit të saj ndërsa disa momente më vonë është ndjerë keq dhe i është dhënë ndihmë nga protestuesit dhe ish deputetët e opozitës. Për pak momente u ndërprenë fjalimet, ndërsa më pas gjithçka është normalizuar.

Motra s’dorëzoi mandatin, djali i Azem Hajdarit pranë Bashës

Ora 10:38-Pavarësisht se motra e tij, Rudina Hajdari ka zgjedhur të jetë deputete e Kuvendit, duke dalë kundër partisë së saj, vëllai i saj Kiri është shfaqur në protestë. Djali i madh i  Azem Hajdarit përkundër zgjedhjes së motrës është shfaqur përkrah kreut të PD-së Lulzim Bashës dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

Basha dhe Krymadhi dalin nga selia, i bashkohen protestuesve

Ora 10: 30 Kreu i PD, Lulzim Basha ka dalë nga selia e PD dhe i është bashkuar protestuesve. Basha bashke me Monika Kryemadhin ka përshkruar në këmbë rrugën nga selia e PD drejt Kuvendit.

Rama akuza opozitës: Ne nuk luajmë me mandatin bixhoz

Ora 10:22– Gjatë fjalës së tij në seancën e Kuvendit teksa jashtë tij opozita po proteston, kryeministri Edi Rama tha se mazhoranca nuk luan bixhoz me mandatet e deputetit siç luan sipas tij opozita. Rama tha se lëvizja e opozitës ka zero ndikim në qeveri apo tek PS.

Protestës i bashkohen banorët e zonës së ‘Astirit’

Ora 10:00- Protestës i janë bashkuar edhe banorët e zonës së Astirit, banesat e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Re. Të veshur me jelekë portokalli dhe me thirrje ‘Rama ik’, banorët e zonës së Astirit i janë bashkuar protestuesve të tjerë para Parlamentit.

Protesta para Kuvendit, Basha mbërrin në selinë e PD

Ora 9:40-Kryetari i PD-së Lulzim Basha pak para protestës së paralajmëruar para Kuvendit ka mbërritur në selinë  e PD-së. Gazetari Klajdi Bodlli raporton për ‘BalkanWeb’ se Basha pritet të dalë nga godina e PD-së për t’iu bashkuar protestuesve.

Protestuesit pritet të përdorin të njëjtën parullë ashtu si më 16 shkurt “Rama ik”.

Erion Braçe flet para seancës: Situata është krejt normale

Ora 9:38- Zëvendës kryeministri Erion Braçe ka folur për gazetarin Ergys Gjençaj për News24 pak minuta para nisjes së seancës plenare.
Ai e ka cilësuar situatën krejt normale dhe ka theksuar se maxhoranca nuk heq dorë nga demokracia e parimet kushtetuese. Ai tha i prerë pas thirrjes së Presidentit se nuk bëhet fjalë për qeveri tranzitore.

“Çfarë ka seanca e sotme? Situata është krejt normale. Jashtë janë të drejtën e tyre për sa kohë nuk cenojnë ligjin. Jemi në kushte krejt normale. Kush ka të drejtën për të protestuar proteston. Kush do të punojë punon. Zgjidhje pa cenuar kushtetueshmërinë. Ne nuk heqim dorë nga demokracia dhe nga parimet kushtetuese”, deklaroi Braçe.

Rama me makinë në Kuvend, kundravajtje nga pedonalja

Ora 9:33- Kryeministri Edi Rama ka mbërritur rreth orës 9:30 në oborrin e Parlamentit me makinën e tij. Ndryshe nga shumë deputetë dhe ministra që janë futur në parlament më këmbë, Rama ka preferuar të shkojë me makinë deri në derën e parlamentit duke kaluar nga pedonalja. Para tij ka qenë zëvendës kryeministri Erion Braçe që ka mbërritur në parlament më këmbë.

Protesta e opozitës, deputetët mbërrijnë më herët në Kuvend

Ora 09:19-Në një kohë që pritet protesta e paralajmëruar nga opozita sot në orën 10:00, deputetët e maxhorancës kanë mbërritur pak më herët në Kuvend, për t’i parapraprirë në këtë mënyrë demonstruesve apo edhe incidenteve.

Një numër i lartë deputetësh kanë arritur të futen në Kuvend. Deri më tani  këtë rrethim e ka kaluar Spiropali, Gjiknuri, Xhafaj, Gjonaj dhe mjaft figura të tjera të PS-së, raporton gazetarja Klodiana Lala. Ndërkohë gazetari Klajdi Bodlli nga selia e PD u shpreh që kryetari i kësaj partie, Lulzim Basha pritet të mbërrijë nga momenti në moment.

PD nxjerr videon: Tirana në shtetrrethim, po ndalohen qytetarët

Ora 8:45- Partia Demokratike akuzon policinë se nuk lejon qytetarët të lëvizin lirshëm. PD ka nxjerrë edhe videon ku duken masat e marra nga policia dhe kordonët e vendosur mes Galerisë së Arteve dhe Ministrisë së Brendshme.
Sipas PD, policia iu merr kartat e identitetit qytetarëve.
“Tirana ne shtetrrethim! Qytetarët nuk lejohen të lëvizin lirshëm në rrugët e kryeqytetit. Qindra forca policie mbajnë të rrethuar pedonalen mes Galerisë së Arteve dhe Ministrisë së Brendshme. Policia u merr kartat e identitetit qytetarëve që kërkojnë të kalojnë në këtë rrugë”, deklaron PD.
Policia ka angazhuar rreth 800 efektivë policie sot për protestën e lajmëruar nga opozita e bashkuar para parlamentit.

Policia Sipas Pd (2)
Policia Sipas Pd (2)

Ora 08:30- Rreth 800 forca policie janë vendosur para Kuvendit


Policia ka nisur planin e masave për protestën. Rreth 800 forca të uniformave blu nga rendi, Shqiponja, FNSH dhe Garda e Republikës janë vendosur tek Kuvendi. Për të shmangur çdo incident në hyrjen e deputeteve, hyrja e Pedonales është e bllokuar me skela për të penguar çdo tentativë të protestuesve. Pas pengesës metalike të krijuar do të vendosen edhe punonjës policie para Kuvendit.

Nisen protestues nga Fieri, kreu i PD flet për ‘refugjatë’ në Kuvend

Ora 7:40- Qindra qytetarë janë nisur nga Fieri për të marrë pjesë në protestën e opozitës së bashkuar që mbahet sot para parlamentit. Me autobusë, furgonë e mjete private protestuesit i janë përgjigjur thirrjes për të protestuar sot kundër qeverisë.

Mes tyre ka qenë edhe kreu i PD-së së Fierit Luan Baçi, i cili dogji mandatin e deputetit bashkë me deputetë të tjerë të opozitës. Në një prononcim për gazetarin Ervis Kuçi, Baçi i ka cilësuar ‘refugjatë’ kandidatët që nuk kanë refuzuar mandatin dhe do të hyjnë në parlament.

“Sot është një ditë e veçantë pasi ‘refugjatët’ vrapojnë për të hyrë në parlament, është një turp i tyre që shkojnë aty. Qytetarët shqiptarë, votuesit nuk do të lejojnë që parlamenti të vijojë punën normalisht pasi nuk është një parlament normal. Protestat do të vazhdojnë sa herë që do të ketë parlament”, tha kreu i PD Fier Luan Baci. Sipas tij do të ketë zgjedhje të parakohshme sepse populli do të votojë për qeverinë që do në pushtet dhe jo qeverinë që vjedh vota.

Çfarë pritet të ndodhë

Ora 7:00- Ndërkohë dje gjatë mbledhjes së grupit të PS, kryeministri Edi Rama tha se nuk do ketë skena si të javës së shkuar para parlamentit. Gjithashtu edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka thënë gjatë mbledhjes së grupit të PS se policia do të garantojë sigurinë e deputetëve gjatë seancës së sotme.

Deputetët e PS i kanë kërkuar Ministrisë së Brendshme të garantojë sigurinë fizike të tyre, nisur nga e marta e kaluar më 26 shkurt, teksa disa deputetë u sulmuan nga protestuesit.

Deputetëve të mazhorancës u është dhënë urdhër qe të jenë prezent në seancë në orën 09:30. Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare në orën 10:00, kohë kur do të nisë edhe protesta.

Ndërkohë dje “BalkanWeb” publikoi edhe korrespodencën mes Policisë dhe Partisë Demokratike për çështjen e protestës. Policia e Shtetit nuk i ka dhënë leje Partisë Demokratike të zhvillojë protestë sot para parlamentit. Sipas dokumentit të firmosur nga Drejtori i Policisë së Tiranës Kastriot Skënderaj, thuhet se tubimi pengon hyrjen në Kuvend të deputetëve dhe vë në rrezik jetën e deputetëve e ministrave. Po kështu sipas policisë, protesta cenon sigurinë kombëtare.

Nga ana tjetër PD akuzon policinë se po shkel Kushtetutën dhe se në asnjë prej protestave të zhvilluara nuk janë dëmtuar policë. PD deklaron se protesta do të zhvillohet edhe pa leje nga policia.

Por protestat e njëpasnjëshme të opozitës e kanë detyruar Policinë e Shtetit që të vendosë në gatishmëri një numër punonjësish policie, pasi bëhet fjalë për ruajtjen e institucioneve të rëndësisë së veçantë.

Policia pritet që të angazhojë sot pothuajse të njëjtin numër punonjësish të rendit, Shqiponjat, FNSH si edhe Gardën e Republikës, por në ndryshim nga herët e tjera po sheh mundësinë që për të rritur sigurinë e deputetëve dhe parlamentit, të krijojë një kordon me skela përgjatë oborrit.

Policia ka informacion se një pjesë e protestuesve kanë marrë masat për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës. Në rast se kjo formë nuk do të funksionojë për të shpërndarë turmën atëherë në veprim do të hyjnë autobotet të cilët mund të hedhin ujë me presion deri në 100 metra.

Sipas protokollit, autobotet do të përdorin ujë me ngjyrues për të bërë të mundur identifikimin e protestuesve që tentojnë të cenojnë institucionin. Në vende të caktuara në sheshin para Parlamentit, janë vendosur edhe kamera me rezolucion të lartë për të regjistruar e më pas evidentuar çdo person që do të tentojë sulmin ndaj institucionit të Parlamentit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb