Nga: Darina Tanushi*

TIRANE- Ministrat e Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë bojkotuan dje, Konferencën Rajonale të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që u mbajt në Tiranë. Nuk dihet arsyeja e mungesës së zv.kryeministrit e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në këtë takim, megjithëse ishte Shqipëria ajo që arriti t’i sigurojë Kosovës pjesëmarrje të përhershme gjatë Presidencës shqiptare. Ndërsa ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç kishte ardhur i pari në vendtakim, edhe pse siç u vu re nga media, ai ka dalë disa herë jashtë sallës së mbledhjes ndërsa fliste ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati. Burimet bënë të ditur për “Gazeta Shqiptare” se Daçiç ka qenë i pakënaqur me vendin që i kanë rezervuar të ulet në tavolinë. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Popovski u zëvendësua dje nga zv.kryeministri shqiptar i qeverisë së Shkupit, në takimin vjetor të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal në Tiranë. Duket se shkak për këtë bojkot nga ministri i Jashtëm maqedonas ka qenë ashpërsimi i gjuhës së Tiranës zyrtare për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Në këtë konferencë ishte zëvendëskryeministri për Eurointegrim, Fatmir Besimi, i cili nuk dihet se në çfarë cilësie ka shkuar kur takimi ka qenë në formatin e ministrave të Jashtëm. Ndërsa Greqia u përfaqësua dje, me një drejtor në Ministrinë e Jashtme greke. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, në hapje të konferencës së ministrave të Jashtëm të SEECP-së, tha se ngjarjet e fundit në rajon rrezikojnë procesin e integrimit në Bashkimin Europian. “Duhet të lëmë mënjanë mosmarrëveshjet e së shkuarës. Duhet të punojmë për të krijuar një të ardhme të përbashkët për integrimin e rajonit. Bashkimi Europian është synimi ynë i përbashkët dhe ndasitë e së shkuarës janë pengesa kryesore në këtë drejtim”, – tha ai. Duke folur për ngjarjet në Kumanovë, ministri Bushati i cilësoi si të rrezikshme në rrugën e rajonit drejt integrimit në BE, teksa kërkoi zbardhje të plotë të ngjarjes. “Të bëjmë më shumë që çështjet në Maqedoni të zbardhen, të zgjidhim mosmarrëveshjet, siguria e çdo vendi të jetë e pandashme nga siguria jonë. Ne kemi kërkuar që ngjarjet të hetohen plotësisht, në mënyrë të besueshme dhe transparente. Pikërisht në këtë sfond, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta brenda kuadrit të procesit të Berlinit”, – tha ai. Bushati tha se, Shqipëria do të vazhdojë të promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon. Pas Samitit dyditor, Tirana do t’i dorëzojë kryesimin Bullgarisë.

DAÇIÇ
E ndërsa Bushati mbante fjalën, Daçiç hynte e dilte nga salla. Ministri serb ishte i vetmi që u shoqërua me truproja në sallën e takimit. I pyetur nga gazetarët për marrëdhëniet me Shqipërinë, ministri i Jashtëm serb i është përgjigjur në serbisht, pasi anglishtja e tij linte për të dëshiruar. “Mendoj se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë nuk kanë rëndësi vetëm për këto dy vende, por edhe për të gjithë rajonin. Ndaj, para së gjithash, pavarësisht nga problemet e ndryshme dhe nga fakti se jo gjithnjë marrëdhëniet si fqinjë kanë qenë të mira, interesi ynë është që ta zhvillojmë këtë bashkëpunim. Pikërisht për këtë arsye, vizita e kryeministrit Rama në Beograd ishte shumë e dobishme. Po ashtu jam i sigurt se vizita e kryeministrit Vuçiç do të jetë me shumë rëndësi, mbi të gjitha për çuarjen përpara të marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe për stabilitetin e rajonit, për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor”, – tha Daçiç.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: