Segmenti i tretë i Bulevardit të Ri të Tiranës ka përfunduar, çka i hap rrugën realizimit të projektit për sheshin fundor. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi sot përfundimin e punimeve të kryera në këtë segment, i shoqëruar edhe nga përfaqësuesi i Fondit për Zhvillim të Abu-Dhabit, Khalid Mansoori dhe ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed Meer Al Raeesi.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që brenda mandatit të parë u bë e mundur përfundimi i një prej projekteve më të mëdha në Tiranë, i cili i jep qytetit një “shtyllë kurrizore” dy herë më të gjatë, si dhe një zhvillim të balancuar.

“Jam shumë i kënaqur që pas zgjedhjeve i rikthehemi punës normale, iu rikthehemi kantiereve të qytetit tonë, i rikthehemi Tiranës e cila vitin tjetër përgatitet të mbushë 100 vjeç. Këtu jemi në hapësirën që do identifikojë 100 vitet e ardhshme të Tiranës. Nëse bulevardi i vjetër ishte i këtij 100 vjetori të parë, Bulevard i Ri besoj i ka shtruar të gjithë infrastrukturën për Tiranën e 100 viteve më pas, në atë që duam ta quajmë zonën Fin – Tech, pra e financave dhe e teknologjisë për qytetin”, tha Veliaj.

Veliaj Te Bulevardi I Ri (2)

Ai bëri të ditur se me përfundimin e punimeve në këtë segment të fundit projekti i Bulevardit të Ri konsiderohet i përfunduar, para se të realizohet edhe projekti i sheshit fundor, i ngjashëm me sheshin “Nënë Tereza”. “Kemi mbaruar segmentin final të Bulevardit dhe jam shumë i lumtur që miqtë tanë, ambasadori i Emirateve dhe Fondi i Abu-Dhabit, janë këtu me ne, për të parë se si në kohë rekord dhe me efiçencë maksimale kemi arritur që të përfundojmë një nga projektet më jetike të Tiranës, kemi vënë një shenjë që do të jetë këtu për nipat e mbesat e të gjithë atyre që kanë punuar”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se në këto 4 vite u rikuperua puna e pa bërë nga administrata e mëparshme, ndërsa nënvizoi se e gjithë zona përreth bulevardit ka nisur të marrë një zhvillim të madh. “Projekti ‘lloci’, e thonë tironsit, për nja 4 vite. Çfarë ndodhi, ndodhi, por u munduam të rikuperonim shumë shpejt kohën që humbëm në ato 4 vite. Më vjen mirë që tani jemi gati vetëm për sheshin monumental, që duam të bëjmë në fund të Bulevardit dhe mezi pres të shqyrtojmë 10-15 aplikimet e para që na kanë ardhur për zhvillime. Dua të falenderoj kolegët tanë nga Fondi i Abu Dhabit që besuan tek ne. Më kujtohen ditët e para të hezitimit, por fakti që patën besim, që i dhanë një shans të dytë administratës së re, që të rikuperonim kohën e humbur, më bën të ndihem shumë krenar”, shtoi Veliaj.

Veliaj Te Bulevardi I Ri (3)
Veliaj Te Bulevardi I Ri (3)

“Ajo që parashikoj në 4 vitet e mandatit të dytë është shumica e zhvillimit që Tirana do të shohë do të jetë jashtë Unazës origjinale të saj, kryesisht në zonën e Bulevardit të Ri. Shpresoj shumë që këtu do të rritet standardi, jo vetëm i cilësisë, por edhe i jetës komunitare, ku besoj të gjithë do biem dakord që aty ku ka ardhur zhvillimi, nuk ka ardhur fatkeqësia, por një mundësi fantastike. Të gjitha familjet që do të zhvillohen, të gjithë ata që do të begatohen dhe pasurohen prej këtyre investimeve, besoj se do ia shohin hajrin gjithë asaj pune që është bërë”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb