Kryebashkiaku i Elbasanit Qazim Sejdini duke folur për problemet më emergjente me të cilat përballet bashkia ka renditur vështirësitë e krijuara nga reshjet e dëborës që ranë disa ditëve më parë të cilat bllokuan disa fshatra të Elbasanit si Labinotin Mal, Benën, Gurin e Zi dhe Mollagjeshin.

Ndërhyrja me të gjitha mjetet dhe punonjësit e sektorëve përkatës të bashkisë sipas Sejdinit bëri të mundur hapjen e rrugëve të bllokuara nga dëbora si dhe normalizimin e situatës ndërkohë që ende po punohet në fshatin Benë dhe kudo ka ende probleme.

Por për Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit problem mjaft serioz paraqet rinisja e reshjeve nga të cilat pritet të shtohen problematikat përgjatë rrjedhës së përrenjve të Zaranikës dhe Manazderes të cilët kanë nevojë për ndërhyrje urgjente.

Sejdini Mbledhja (1)
Sejdini Mbledhja (1)

Sejdini nisur nga mbizotërimi i problematikave të tilla ka kërkuar edhe mbështetjen e prefektit Gledian Llatja për të bërë të mundur që rikonstruksioni i shtretërve të përrenjve që rrethojnë qytetin të nisë sa më parë.

Sipas Sejdinit, emergjencat e shkaktuara nga dëbora nuk mund të krahasohen me dëmet që mund të sjellin këta përrenj me rrjedhë të rrezikshme, argjinatura e të cilëve është tërësisht e shkatërruar.

Prej vitesh rrjedha e këtyre përrenjve kur reshjet janë të dendura dhe të vazhdueshme përmbyt lagjet periferike dhe situatat e krijuara jo rrallë kanë krijuar rrezik edhe për jetën e qytetarëve. Ndaj për t’i dhënë fund këtij rreziku duhet financuar rikonstruksioni i argjinaturave të shkatërruara të skarpateve të rrjedhës së Zaranikës dhe Manazderes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb