Masat për deeuroizimin e ekonomisë do të nisin të aplikohen më 2018, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko në një konferencë për shtyp.

“Një angazhim tjetër strategjik, lidhet me rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare, e thënë ndryshe me deeuroizimin e ekonomisë. Për këtë qëllim, gjatë vitit 2017, në konsultim dhe me industrinë bankare, kemi ideuar disa masa specifike, të cilat do të hyjnë në fuqi në gjysmën e parë të vitit 2018”, tha Guvernatori.

Për ta bërë deeuroizimin gjithëpërfshirës, Banka e Shqipërisë nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, për të nxitur marrjen e masave të ngjashme edhe në pjesën tjetër të sistemit financiar dhe në ekonominë reale. Kjo iniciativë pritet të rezultojë shumë shpejt në masa konkrete shtesë.

Guvernatori tha se gjatë vitit që po mbyllet është punuar në drejtim të përmirësimit të mëtejshëm të instrumenteve dhe metodologjive të parashikimit, si dhe në drejtim të përsosjes së procesit të zbatimit të politikës monetare. Kjo e fundit është realizuar nëpërmjet standardizimit të praktikave për administrimin e likuiditetit të sistemit bankar, përmirësimeve teknologjike në zhvillimin e ankandeve REPO, si dhe publikimeve javore të parashikimeve për sasinë e likuiditetit në sistem.

Një zhvillim i rëndësishëm përkon me zgjerimin dhe thellimin e tregut të letrave me vlerë të qeverisë, nëpërmjet dhënies së aksesit për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të të gjitha institucioneve financiare jorezidente. Një arritje tjetër në veprimtarinë tonë ka të bëjë me administrimin e rezervës valutore. Pavarësisht ambientit të vështirë me të cilin përballen investitorët në Eurozonë, ambient ky i karakterizuar nga norma të ulëta dhe shpesh negative interesi, ne kemi arritur të ruajmë një kthim pozitiv për rezervën valutore, duke respektuar njëkohësisht të gjitha limitet, rregullat dhe procedurat për administrimin e rrezikut të investimit.

Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar
Forcimi i mbikëqyrjes bankare dhe garantimi i stabilitetit financiar të sistemit mbeten objektiva themelore të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. Gjatë vitit 2017, hyri në fuqi ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, i cili përcakton Bankën e Shqipërisë si Autoritetin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme në vend. Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Banka e Shqipërisë krijoi “Fondin për ndërhyrjen e jashtëzakonshme”, i cili do të plotësohet në vazhdimësi përmes kontributeve të rregullta vjetore të bankave. Ky Fond do të shërbejë për realizimin e ndërhyrjeve të jashtëzakonshme, në të gjitha rastet ku nevoja do të sjellë si domosdoshmëri ristrukturimin e hershëm të bankave në vështirësi dhe mbulimin e nevojave për financim në rast krize, prej vetë bankave.

Një zhvillim i spikatur i vitit 2017 është rënia e vazhdueshme e treguesit të kredive me probleme. Në fund të muajit nëntor, kreditë me probleme përbënin vetëm 14.3% të totalit, krahasuar me 18.23% në fund të vitit 2016. Ky përmirësim reflekton masat e marra në kuadër të planit kombëtar për uljen e kredive me probleme, por jo vetëm. Gjatë gjithë vitit kemi intensifikuar komunikimin me bankat dhe paralelisht me të, falë dhe asistencës së partnerëve tanë ndërkombëtarë, kemi adoptuar dhe vënë në zbatim disa nga praktikat dhe eksperiencat më të mira ndërkombëtare.

Në muajin gusht, Këshilli Mbikëqyrës miratoi Strategjinë e Politikës Makroprudenciale, një dokument i rëndësishëm për garantimin e stabilitetit financiar të vendit. Në këtë dokument janë të pasqyruara me hollësi të gjithë objektivat, instrumentet, treguesit, përfshirë dhe strukturat përgjegjëse, brenda dhe jashtë Bankës së Shqipërisë, të cilat kujdesen dhe garantojnë stabilitetin financiar të vendit. Kjo politikë është një udhërrëfyes për hapat që duhet të ndërmarrin autoritetet, me qëllim administrimin e rreziqeve që i kanosen stabilitetit financiar të vendit.

Një angazhim tjetër strategjik, lidhet me rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare, e thënë ndryshe me deeuroizimin e ekonomisë. Për këtë qëllim, gjatë vitit 2017, në konsultim dhe me industrinë bankare, kemi ideuar disa masa specifike, të cilat do të hyjnë në fuqi në gjysmën e parë të vitit 2018. Për ta bërë deeuroizimin gjithëpërfshirës, Banka e Shqipërisë nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, për të nxitur marrjen e masave të ngjashme edhe në pjesën tjetër të sistemit financiar dhe në ekonominë reale. Kjo iniciativë pritet të rezultojë shumë shpejt në masa konkrete shtesë.

Aktivitetit bankar, rregullimi dhe licencimi i tij kanë vazhduar të jenë ndër prioritetet e rëndësishme të veprimtarisë së institucionit. Banka e Shqipërisë kreu rreth 14 inspektime gjatë vitit 2017. Gjithashtu, gjatë këtij viti u miratua transferimi i pjesëmarrjes 100% të Veneto Banka sh.a. tek Banka Intesa Sanpaolo S.p.A., Itali si dhe u licencuan 3 subjekte financiare jobanka për ushtrimin e veprimtarisë së shërbimeve të pagesave e të transferimit të parave, të veprimtarisë së qirasë financiare dhe mikrokredisë.

Përafrimi i kuadrit mbikëqyrës dhe rregullator me direktivat evropiane dhe standardet e Komitetit të Bazelit ka vijuar edhe përgjatë vitit 2017. Në maj të vitit 2017, u miratua udhëzimi “Për procesin e vlerësimit të brendshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit”, në përputhje me Shtyllën 2 të Bazel II. Gjithashtu, u rishikuan disa rregullore që kanë të bëjnë me: (i) mbikëqyrjen e konsoliduar, (ii) drejtimin efektiv të bankave dhe kriteret e miratimit të administratorëve të tyre, (iii) parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe (iv) transparencën për produktet e shërbimet bankare dhe financiare. Kujdes është bërë edhe në drejtim të intensifikimit të marrëdhënieve me autoritetet rregulluese evropiane, si rezultat i të cilave në fillim të vitit 2018 pritet të nënshkruhet marrëveshja dypalëshe e bashkëpunimit me Bankën Qendrore Evropiane.

Harta e veprimtarisë së institucionit nuk do të ishte e plotë nëse nuk do të përmendnim edhe punën e madhe që është kryer nga njësitë e tjera të Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2017.

Më lejoni të ndalem vetëm në disa prej tyre:
Në kuadër të përpjekjeve për përmirësimin e administrimit financiar dhe material të institucionit, Banka e Shqipërisë ka përfunduar punën përgatitore për aplikimin e standardit të ri të kontabilitetit. Ky standard, i quajtur SNRF 9, hyn në fuqi më 1 janar 2018.
Banka e Shqipërisë ka bërë progres në drejtim të hartimit të legjislacionit të nevojshëm primar për shërbimet e pagesave në Shqipëri, në përputhje me Direktivën përkatëse të Bashkimit Evropian dhe për nxitjen e kanalizimit të remitancave në sistemin financiar. Këto projekte synojnë uljen e kostove të transferimit të remitancave në sistemin financiar dhe rritjen e përfshirjes financiare të publikut. Me qëllim rritjen e bashkëpunimit e koordinimit institucional në drejtim të përdorimit më efektiv të remitancave për zhvillimin ekonomik, në muajin dhjetor, Banka e Shqipërisë, Ministri i Shtetit për Diasporën dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për Remitancat.
Puna kërkimore ka qenë dhe mbetet një drejtim i rëndësishëm i punës sonë. Kjo punë synon të vërë në dispozicion të vendimmarrësve, brenda Bankës së Shqipërisë por dhe më gjerë, aparatin e duhur teorik për interpretimin e fenomeneve ekonomike dhe monetare, si dhe të identifikojë e të kuantifikojë në terma sasiorë lidhjet midis tyre. Sipas traditës së krijuar, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve për Evropën Juglindore të Universitetit të Oksfordit, zhvilloi punimet e konferencës së saj vjetore me temë: “Zhvillimet në tregun bankar dhe infrastruktura e tregjeve financiare. Roli i strukturës, madhësisë dhe infrastrukturës së tregjeve në zbutjen e rreziqeve dhe ecurinë e ndërmjetësit financiar”. Punimet e kësaj konference hodhën dritë mbi tendencat më të fundit në zhvillimin e sektorit financiar, me theks të veçantë në ndikimet potenciale mbi ekuilibrin makroekonomik dhe stabilitetin financiar. Po ashtu, zhvilluam Ëorkshop-in e 11-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, ku kërkues nga rajoni dhe institucione të rëndësishme ndërkombëtare ballafaquan konkluzionet e analizave të tyre për aspekte të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe financiar të vendeve të tyre dhe rajonit në përgjithësi.
Puna jonë edukative ka vijuar nëpërmjet zbatimit të projekteve për rritjen e edukimit financiar të publikut, në funksion të njohjes dhe administrimit më të mirë të financave individuale të tyre. Edukimi financiar është realizuar nëpërmjet programeve, aktiviteteve dhe botimeve të veçanta edukative, me fokus prezantimin e institucionit të bankës qendrore, rolit dhe funksioneve të saj, si dhe kultivimin e një kulture financiare në shoqërinë shqiptare. Si një mjet i rëndësishëm për bashkëveprimin me publikun, Muzeu i Bankës së Shqipërisë e ka kthyer Bankën e Shqipërisë në shtëpinë e parasë për shumë vizitorë. Për herë të parë këtë vit, kremtuam Ditën Ndërkombëtare të Muzeve nëpërmjet organizimit të aktivitetit me temë “Kuriozitete nga Thesari: Arti i kartëmonedhës shqiptare”.
Emisioni monetar, përveç kujdesit të shtuar në veprimtarinë rutinë të tij, realizoi rishikimin e serisë aktuale të kartëmonedhave, duke synuar përmirësimin e saj në aspektin funksional, grafik dhe më kryesorja në funksion të përmirësimit të elementeve të sigurisë.
Banka e Shqipërisë ka intensifikuar punën për përafrimin metodologjik të statistikave financiare me standardet ndërkombëtare dhe harmonizimin e tyre me ato të BE-së. Në harmoni me parimet për transparencën dhe objektivat strategjikë afatgjatë të institucionit, këtë vit u përgatit Kodi i praktikës për statistikat e Bankës së Shqipërisë. Që nga muaji qershor, Shqipëria zbaton Sistemin e Përmirësuar të Shpërndarjes së të Dhënave të Përgjithshme të FMN-së.
Në fushën e teknologjisë së informacionit, Banka e Shqipërisë ka përfunduar apo është në fazat finale përmbyllëse të një sërë projektesh të rëndësishme, ku do të veçoja: përshtatjen e sistemit AFISAR për zgjerimin e përdorimit të regjistrit të letrave me vlerë nga jorezidentë, si dhe përmirësimet në sistemin e raportimit rregullator online nga sistemi bankar tek Banka e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje përmirësimit të vazhdueshëm të sigurisë në fushën e teknologjisë së informacionit, për garantimin e vazhdueshmërisë dhe të integritetit.
Gjatë vitit 2017, vazhdoi tradita e komunikimit të hapur me publikun, në qendër të të cilit qëndron transparenca institucionale dhe gjithëpërfshirja e grupeve të ndryshme të interesit. Nëpërmjet 120 fjalimeve, njoftimeve dhe intervistave, 40 raportesh, analizash e buletinesh, një shumëllojshmërie të lartë statistikash e të dhënash, organizimit të 3 konferencave shkencore dhe një sërë aktivitetesh të tjera me karakter të veçantë kemi përmbushur procesin tonë të transparencës dhe llogaridhënies ndaj publikut. Për të rritur ndërveprimin me publikun, gjatë vitit 2017 kemi shtuar edhe komunikimin dixhital nëpërmjet rrjeteve sociale, duke transmetuar aktivitetin e përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë tek opinioni publik, në një kohë sa më të shpejtë dhe të plotë.
Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje edhe forcimit të bashkëpunimit me agjenci dhe institucione homologe. Në këtë kuadër, gjatë vitit 2017, kemi shkëmbyer vazhdimisht opinione me institucione si FMN-ja, Banka Botërore, Banka Qendrore Evropiane dhe Komisioni Evropian, me të cilat kemi kryer një sërë aktivitetesh të përbashkëta si dhe kemi prezantuar nisma me ndikim potencial pozitiv në ekonominë dhe financat e vendit. Po ashtu, gjatë vitit 2017, Banka e Shqipërisë nënshkroi një Memorandum Bashkëpunimi me Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë. Ky memorandum synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve përmes shkëmbimit të ndërsjellë të informacionit, ekspertizës, punës kërkimore, si dhe nëpërmjet dialogut të rregullt në nivel teknik e politikëbërës. Ai është një hap i rëndësishëm në drejtim të shfrytëzimit të mundësive që ofron integrimi ekonomik, financiar e teknologjik, si dhe të forcimit të imunitetit ndaj sfidave të cilat e bashkëshoqërojnë atë.

“Në përfundim, dua të theksoj se gjatë vitit që po lëmë pas, institucioni ynë hodhi hapa të mëtejshëm në përmbushjen e objektivit strategjik për përafrimin me modelin e bankës qendrore të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore”, tha Sejko. /Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: