TIRANE– “Frikë nga Peshqit” ishte tema që u trajtua në emisionin “Njerëz në Fokus” të gazetares Ola Bruko në “News24”. Të ftuar në studio për të folur rreth sigurisë së peshqve që shiten në dyqanet e vendit apo edhe për gjuetinë e paligjshme ishin Arian Palluqi, drejtor i Politikave të Peshkimit, pranë Ministrisë së Bujqësisë, Tomor Duro, shef i Sektorit të Kufirit Blu, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Blend Laci, përfaqësues i “Mbrojtësit e Detit Shqiptar” si dhe Armand Hallvaxhiu, zhytës sportiv. Gjithashtu në një lidhje paralele ishte drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Dritan Sejko.

Ky i fundit u shpreh se peshqit që shiten në rrugë janë kompetencë e pushtetit vendor dhe jo AKU.

“Peshqit që po shiten në rrugë janë kompetencë e pushtetit lokal. Pikat e hapura nuk janë objekt kontrolli i AKU. Shqiptarët konsumojnë më shumë peshk vendi”- tha Dritan Sejko.

Ndërkohë drejtori i Politikave të Peshkimit pranë Ministrisë së Bujqësisë tha se ekziston një nen që nuk lejon peshkimin në sezon të përcaktuar, ndërsa problem mbetet peshkimi detar

“Është një biznes që vuan nga një sërë faktorësh. Këtë vit falë peshkatarëve dhe institucioneve kemi arritur të hedhim vezë në liqen dhe të ndalojmë peshkimin në sezon. Problemi është tek peshkimi detar. Ka një periudhë që ndalohet me nen peshkimi dhe në këtë periudhë ndalese peshkatarët paguhen. Të gjitha varkat që dalin në det janë të kontrolluara”- tha Arian Palluqi.

Sakaq shef i Sektorit të Kufirit Blu, pranë Ministrisë së Brendshme pranoi se ekziston ende fenomeni i gjuetisë së paligjshme, por janë shtuar gjobat ndaj shkelësve.

“Policia kufitare ka mjetet e saj për të monitoruar. Ka peshkim të paligjshëm, por janë 46 mjete lundrimi të gjobitura për shkelje. Policia kufitare është non stop dhe nuk është vetëm peshkimi i paligjshëm që monitorin policia shqiptare. Kërkojmë bashkëpunimin e qyetarëve dhe të instancave të tjera për të ndëshkuar shkelësit”- i shpreh Tomor Duro.

Përfaqësuesi i “Mbrojtësit e Detit Shqiptar”, Blend Laci tha se në të gjithë vendin ekziston ende peshkimi me dinamit dhe për ketë arsye rrezikohet edhe konsumi.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb