TIRANE- Këshilli Mbikqyrës i Banksë së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 1.75%.

Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, në konferencën e sotme për shtyp, pas mbledhjes se fundit për këtë vit të Këshillit Mbikqyrës të BSH-së, tha se Banka Shqipërisë do të vazhdojë të ndjekë një politikë monetare stimuluese edhe gjatë vitit 2016. Ndërsa rritja e kredisë pritet të forcohet gradualisht gjatë vitit të ardhshëm.

Guvernatori Sejko u shpreh se, aktiviteti kreditues mbetet ende i zbehtë, por sipas tij, ulja e nivelit të kredive të këqija do të rrisë kreditimin. Sejko tha se, analizat dhe projeksionet e BSH-se, sugjerojnë se inflacioni do të rritet gradualisht drejt objektivit afatmesëm. Ndersa inflacioni i muajve tetor dhe nëntor rezultoi në nivelin 2.1%.

Nga këndvështrimi makroekonomik, niveli nën objektiv i inflacionit vazhdon të pasqyrojë rritjen nën potencial të ekonomisë shqiptare, vijoi ai.

“Rritja e pamjaftueshme e kërkesës agregate gjeneron kapacitete të pashfrytëzuara në tregjet e punës dhe të kapitalit, të cilat shoqërohen më tej me presione të ulëta për rritjen e kostove të prodhimit, të marzheve të fitimit dhe të inflacionit bazë. Nga ana tjetër, luhatjet e inflacionit gjatë muajve të fundit kanë pasqyruar goditjet e faktorëve të ofertës, në formën e luhatjeve të inflacionit të importuar apo të ofertës së produkteve ushqimore”, u shpreh kreu i sistemit bankar.

“Banka e Shqipëris gjykon se hendeku negativ i prodhimit dhe çmimet e ulëta në tregjet botërore do të vazhdojnë të jenë të pranishme përgjatë një horizonti kohor afatshkurtër. Efekti rënës i tyre në inflacion do të kompensojë efektin rritës të çmimeve të larta të produkteve ushqimore. Për rrjedhojë, inflacioni mesatar për vitin 2016 pritet të luhatet rreth nivelit 2.3%. Më tej, inflacioni parashikohet të ndjekë një tendencë rritëse dhe të kthehet në objektivin tonë prej 3% rreth fillimit të vitit 2018”-tha Guvernatori Sejko, ndersa evidentoi se, rritja ekonomike do të mbështetet nga përmirësimi i mëtejshëm i kushteve të financimit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb