Në rubrikën “Opinion” në News24 ishte i pranishëm mjeshtri i madh Sejmen Gjokoli, organizator i Aulona Inter Folk Festival, që organizohet prej 16 vitesh.
Ai tha se ky festival synon ti shërbejë qytetarit, duke shtuar se ka dy dimensione kryesore: një kulturor, që përfaqësojnë kombet nga vijnë grupet që marrin pjesë dhe së dyti është promocional.
“Festivali ka anën konkurruese, pra atë në skenë, por edhe në aspektin e vlerave. Së dyti kemi edhe aspektin e turizmit, veçanërisht përgjatë bregdetit të Vlorës, apo edhe pjesët historike.
Pra gjatë festivalit harmonizohen të gjithë këto komponentë dhe ky është synimi ynë”, tha Gjokoli.
Ai tha se në Vlorë ndër vite kanë ardhur 130 grupe nga 36 vende të Europës apo edhe Botës.
“Kemi anasamblin e shkëlqyer që ka ardhur nga Kina. Në fokus të festivalit është që ti shërbejë Vlorës, promocionit të këtij qyteti”, tha ai.
Gjokoli tha se folklori për secilin shtet që përfaqëson është vend i parë, pasi përfaqëson atë shtet, ndaj ndarja e çmimeve duhet bërë në një mënyrë të kujdesshme.
Ai tha se kupën e festivalit nuk e jep juria, por publiku dhe qëllimi është që kupa të vejë në të gjitha vendet e Europës.
Gjokoli tha se në 2008-2009 ishte ideja e Vaso Toles dhe Petrit Rukës që mendonim se çfarë mund të bënim diçka për Vlorën.
“E quajtëm Aulona për shkak të emrit të Vlorës në antikitet, gjithsesi ky festival i shërben të gjithë vendit, jo vetëm Vlorës”, tha ai. Gjokoli shtoi se mbështetësi kryesor për festivalin është Bashkia e Vlorës, pa të cilën nuk mund të realizohej ky festival.