Kur kandidatura e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, u paraqit për miratim prillin e kaluar, disa senatorë e kundërshtuan vetëm pse ai nuk u kishte treguar as drejtuesve të Komisionit të Jashtëm mbi vizitën sekrete në Phenian, në fillim të atij muaji. Megjithatë, shumica e senatit me votën pro i bindi ata se në një rast të tillë, kur sapo ishte konfirmuar Samiti i parë Trump-Kim Jong Un, sekreti ose konfidencialiteti është vendimtar për suksesin politiko-diplomatik. Dhe ky nuk është rasti i vetëm në politikën dhe diplomacinë amerikane. Kështu, pa vizitat dhe takimet sekrete të ish-sekretarit emblematik të Shtetit, Henry Kisinger në Pekin në vitin 1971 dhe takimi i tij me ish-kryeministrin kinez Çu en Lai, nuk do të ishte realizuar hapja historike amerikano-kineze. Po ashtu, marrëveshja historike me Iranin për armët bërthamore e vitit 2015 mund të mos ishte mundësuar pa ndërmjetësimin e fshehtë të dy të dërguarve specialë të Presidentit Obama, William J.Burns dhe Jake Sullivan në Teheran më 2013-ën.


Këto dhe plot shembuj të tjerë nga praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ajo e vendit tonë tregojnë se me gjithë daljen më në pah të diplomacisë dhe transparencës publike në dy dekadat e fundit, sërish ka çështje që janë tejet delikate për të dalë në publik pa ardhur momenti i duhur. Këto dhe të tjera raste dëshmojnë se pa mbajtur “me fanatizëm sekretin”, apo siç quhet me eufemizëm mirëbesimin e nevojshëm ndërmjet palëve nuk mund të ketë “breakthrough”, pra arritje të shënuara në politikën e jashtme.


Ashtu siç përmendet edhe në librin “Diplomacia për të gjithë” (2014) një ndër çelësat e efektivitetit diplomatik, pavarësisht nga karakteri i saj publik në rritje është që për vendime të veçanta të mbahet deri në fund mirëbesimi i nevojshëm mes palëve. Kjo do të bëjë të mundur që çdo hap dhe veprim i diplomacisë të bëhet në qetësi, në respekt të kërkesave të lartpërmendura, me qëllim që ato të mos çojnë në mediatizimin e tepruar, për pasojë kompromentimin e procesit e ca më keq akoma, në lëndimin apo dëmtimin e palëve në këto procese ose humbje të besueshmërisë së tij te partnerët e tjerë.


Kjo nuk nënkupton aspak që të mbahen gjërat fshehur ndaj publikut; përkundrazi, sot diplomacia zyrtare po shquhet dhe për natyrën e saj gjithnjë e më shumë publike. Por, fjala është për konfidencialitetin si metodë pune, e cila i krijon kushte, mundësi, kohë dhe hapësirë veprimi kanaleve diplomatike dhe vendeve partnere për zgjidhjen sa më optimale e të pranueshme dhe me interes publik për të gjitha palët.

Sepse pavarësisht nga karakteri i saj specifik, diplomacia është gjithsesi pjesë përbërëse e pushtetit ekzekutiv; ajo përgjigjet për veprimet e saj përpara qeverisë, parlamentit, kreut të shtetit dhe opinionit publik. Proceset dhe vendimet e saj kanë jehonë, merren shënim dhe krijojnë reagimet e rastit me ndikimet përkatëse edhe në kancelaritë e vendeve dhe organizmave shumëpalësh.

Përvoja ndërkombëtare dhe ajo e vendit tonë gjatë viteve të fundit jep shumë shembuj për pasojat negative të “fshehjes” prapa sekretit diplomatik, në radhë të parë për interesat strategjike të vendit. Rasti më tipik i kësaj mungese është procesi i negociatave deri te nënshkrimi i Marrëveshjes së Detit më 2009 me Greqinë, e cila u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2010.

Në respekt edhe të drejtuesve dhe kolegëve të shumtë të diplomacisë sonë, me të cilët punova për disa dekada deri në vitin 2017, më poshtë po shpreh disa shqetësime dhe sugjerime konkrete dashamirëse dhe profesioniste.

Pas disa hapave pozitive në këtë fushë, tani së fundi po vërehen sërish mangësi shqetësuese lidhur me informimin publik, duke filluar pikërisht nga negociatat e rifilluara në nëntor 2017 dhe të ndërprera gati një vit më parë. Po kalon gati një vit nga dorëheqja e Kotzias dhe gjashtë muaj nga largimi i Bushatit, por nuk kemi dëgjuar më asgjë për fatin e këtyre negociatave. A janë ndërprerë apo anuluar tërësisht për të rifilluar në një format tjetër më të mundshëm? Sepse edhe strategjia e mëparshme për t’i zgjidhur të gjitha çështjet e nxehta me Greqinë me metodën e “aksionit” dmth., me një marrëveshje të vetme dhe brenda disa muajve ishte tërësisht jashtë realitetit, ndaj jo vetëm nuk u zgjidh ndonjë gjë e madhe nga axhenda e “nxehtë”, sikurse u trumbetua me të madhe, por tani pala greke po shton dozat e trysnisë lidhur me pretendimet e saj për respektimin e të drejtave të pakicave etnike.

Më tej, “terri” informativ publik është edhe më i madh lidhur me qëndrimin e qeverisë dhe diplomacisë sonë për tezën famëkeqe të ndryshimit/korrigjimit të kufirit Serbi-Kosovë. Me përjashtim të ndonjë deklarate apo pohimi fare të vakët, të paqartë dhe kontradiktor, publiku ynë nuk e ka ende të qartë qëndrimin zyrtar. Ose më mirë të themi, ka më shumë tymnajë dhe perceptime, ndaj MPJ-ja duhet urgjentisht të sqarojë shqipshe pozicionin tonë lidhur me këtë çështje djegëse, që mund të bëhet pengesë edhe për integrimin tonë të mëtejshëm evropian. Për më tepër se në këtë rast nuk ka fare sekret diplomatik, sepse shtete të mëdha si Gjermania dhe të tjera e kanë bërë të qartë si drita e diellit pozicionin e tyre kundërshtues. Nëse ndonjë lideri këtu e në Kosovë nuk i hyjnë në vesh apo nuk duan ta kuptojnë gjuhën, etikën dhe “Jo”-në diplomatike, kjo është punë e tyre, por publiku i gjerë dhe shoqëria nuk të fal.

Mungesa e tretë e informimit publik ka të bëjë me reformën në shërbimin diplomatik të njoftuar tre muaj më parë. Deri tani nuk ka asnjë informacion, me përjashtim të lirimit dhe shkarkimit të 28 diplomatëve, të cilët madje gabimisht “u futën në një thes” me etiketime jo bindëse “pellgjesh, nepotizmi, krushqish” si dhe targave/pasaportave diplomatike të skaduara. Këto të fundit janë në fakt të dorës së tretë në hierarkinë e sfidave madhore të diplomacisë sonë, me brenda dhe me jashtë. Për më tepër, kjo periudhë koincidoi edhe me caktimin e një ministri të ri të Jashtëm në detyrë, që ndonëse pa ndryshime në vijat e përgjithshme të politikës sonë të jashtme, sërish duhet të bënte të ditur profilin dhe specifikat e tij. Ndryshe, ç’kuptim kishte ndryshimi i lartpërmendur, që sërish mbetet një enigmë tjetër për publikun, duke u lenë vend thashethemeve dhe spekulimeve të ndryshme, gjithsesi të justifikueshme në mungesë të informimit të drejtë e në kohë të publikut. Shkurt, ky i fundit duhet të njoftohet në vazhdimësi sa e si duhet mbi këtë reformë bashkë me komponentët e saj themelorë; ajo lipset të jetë tërësore, e argumentuar qartë dhe në bashkëpunim me aktorë/faktorë të tjerë përkatës jashtë MPJ-së; vetëm kështu reforma e pretenduar do të jetë e besueshme e për rrjedhojë efektive. Por, deri tani kemi dëgjuar vetëm për shkarkime, lëvizje dhe zëvendësime, qoftë edhe me “ekselentë” e në kundërshtim me ligjin përkatës të miratuar më 2015-ën nga kjo shumicë parlamentare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb