Sekretari për Aksionin Qytetar i Partisë Demokratike, Ervin Salianji nëpërmjet një statusi në “Facebook” ka komentuar sot ato që i ka cilësuar si “këmbanat e frikës që po bien”, duke nënkuptuar jo vetëm zërat brenda mazhorancës por edhe 3 figurat kryesore të PD-së, Jozefina Topalli, Eduart Selami dhe Majlinda Bregu që kanë kundërshtuar bojkotin e zgjedhjeve nga opozita.

Sipas Salianjit, më 7 maj, datë në të cilën demokratët paralajmëruan protesta në Kavajë kur të zhvillohen zgjedhjet, do të këmbojnë kambanat e triumfit.

“Kur këmbanat e frikës bien nga cdo porte! U shpalos lista e rilindjes me identikitin e Republikes se Vjeter dhe i plotesuan te gjithe kriteret. Identikiti i deputetit te Republikes se vjeter! Te bojkotosh popullin te mbash karriget! Te flasesh per popullin nga salla të ngrohta, por të abandonosh popullin ne rruge! Ta duash partine me shume se Shqiperine! Te flasesh per te larguarit nga puna por të sigurosh vendin e punës me lotë krokodili për të papunët. Te kesh shume lekë por te besh si i varfer! Te flasesh per ligje te keqija por mos propozosh asnje projekt ligj! Të dhunosh njerëzit kur ke pushtet, por të luash viktimën kur ta heqin. Të jesh qingj i butë deri ditën që shpallet lista për deputet, e të jesh ujk pasi ka dalë lista. Fundi i republikues se vjeter ka ardhur, frika ndihet kudo, e vertetojne kambanat qe bien nga cdo porte! Ne 7 Maj do te kembojne kembanat e triumfit, #zgjedhjetelira”

Ervin-Salianji-3
Ervin Salianji

Deklarata e Eduard Selamit
“Kam vënë re që z.Basha e përdori çadrën jo më për një protestë paqësore por fatkeqësisht, me një retorikë populiste dhe me një gjuhë të papërshtatshme e përdori për të anashkaluar institucionet dhe me keq akoma, për të bojkotuar Parlamentin në një moment shumë të rëndësishëm siç është reforma në drejtësi që është e lidhur me rrugën integruese të Shqipërisë në Europë. Dhe më tej akoma në një retorikë të paprecedentë për të bllokuar dhe për të mos marrë pjesë në zgjedhje e cila është mjaft e dëmshme për Shqipërinë dhe për Partinë Demokratike”

Deklarata e Majlinda Bregut 
“Partia Demokratike ka lindur si Parti me vokacion perëndimor. Nuk iu largua zgjedhjeve as në 1997, pasi u largua e dhunuar nga pushteti i bandave të armatosura madje mori pjesë në zgjedhje edhe në zonat ku kandidatët e saj nuk futeshin dot fizikisht! Partia Demokratike nuk u pajtua asnjë sekondë, as me bojkotin antieuropian të Edi Ramës dhe as me bllokimet skandaloze të rrugëve në emër të votës së lirë!
Dhe ju siguroj të gjithë ne që e kemi quajtur antieuropian e antikombëtar Edi Ramën e kemi besuar se i tillë vetëm ai mund të ishte. Një arsye më shumë kjo për të mos rënë dakord sot me veprime e bllokime si ato të Edi Ramës dje. E di që zeri im sot mund të duket një zë në shkretetirë, por shpresoj të mos mbetet kështu. Kam heshtur këto kohë publikisht dhe jam përpjekur me mish e me shpirt ta ndihmoj PD-në dhe Lulzim Bashën duke u përpjekur t’i bind miqtë tanë të PPE të na vijnë sërish në ndihmë. Por sot nuk mund të hesht më sepse edhe vetë ata që kurrë s’na kanë lënë vetëm më parë, që nga Presidenti Daul e deri tek i fundit në PPE, më përsërisin prej disa ditësh: “Na vjen keq po mesa duket nuk ju ndihmojmë dot më, sepse ju nuk doni të ndihmoni veten!” Ata duan që PD të hyjë në zgjedhje! Ata duan që ne të jemi në parlament! Ata duan që të kthehemi menjëherë në Kuvend dhe të votojmë të gjitha ato që duhen për zgjedhjet e për reformën në drejtësi”

Deklarata e Jozefina Topallit
Në një prononcim për “BalkanWeb”, Topalli pohoi se “kam kërkuar prej disa javësh mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së për të diskutuar se çfarë do të bëhet me pjesëmarrjen në zgjedhje si dhe për t’u njohur me kostot e bojkotit që lidershipi i PD ka vendosur në raport me zgjedhjet”, – ka pohuar Topalli duke mos preferuar të japë më shumë detaje

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb