Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave, Kunio Mikyriya dhe Dashgin Aliyev, Drejtori për Zhvillimin Rajonal për Rajonin e Evropës në WCO zhvilluan një vizitë zyrtare dy ditore në  Shqipëri.

Drejtuesit e lartë të WCO fillimisht u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare, Genti Gazheli,  i cili pas falënderimeve që i bëri z. Mikyriya, për vlerësimin e kësaj vizite,  e njohu atë më arritjet e Administratës Doganore Shqiptare, të cilat janë të prekshme dhe i përgjigjen vizionit për të përballuar sfidat në të ardhmen e afërt.

Sipas Gazhelit, përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së, ka bërë që në vitet e fundit ADSH të përmirësojë ndjeshëm shërbimin ndaj qytetarëve dhe biznesit. “Tashmë deklarimin on-line është realitet dhe ‘Nënshkrimin Elektronik’, është një element thelbësor që i paraprin procesit të gjerë dhe shumë të rëndësishëm të ‘deklarimit pa letra në doganë’, tha Gazheli, duke theksuar  se thjeshtimi i procedurave dhe dokumentacionit për dhënien e lejeve dhe licencave për qytetarët dhe bizneset  ka minimizuar kostot që lidhen me burokracinë e strukturave shtetërore,  jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në atë kohor”.

Gjatë dy viteve sfiduese për shkak të pandemisë Covid-19, u shpreh Gazheli, Drejtoria e Doganave ka qenë në shërbim 24/7 të biznesit, për të lehtësuar eksportet dhe importet, duke bërë përpjekje maksimale në funksionet e saj të kontrollit, duke siguruar trajtim të barabartë, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe lehtësimin e tregtisë së jashtme.

Ndërsa Kreu i OBD, Mikyria, vlerësoi se Dogana Shqiptare ka shënuar progres në vitet e fundit në termat e standardeve ndërkombëtare dhe të BE, në përmirësimin dhe futjen e teknologjive të reja dhe në zhvillimin e burimeve njerëzore.

“Është e rëndësishme ofrimi i shërbimeve bazuar në besimin e biznesit. Prandaj këtë progres kam vërejtur gjatë vizitës sime, ku në ndryshim nga vizita ime 10 vjet më parë, ndjej se ekonomia shqiptare është më shumë premtuese në kushtet e integrimit europian, në kushtet e tërheqjes së njerëzve dhe investimeve, por gjithashtu edhe tërheqjen e turistëve. Unë shoh një potencial të madh për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë, prandaj përmirësimi i vazhdueshëm i institucioneve publike, si Dogana është i rëndësishëm për të mbajtur këtë trend pozitiv dhe premtues”, u shpreh Mikyria.

Gjatë vizitës së tij në vendin tonë Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave Kunio Mikyria,  dhe Dashgin Aliyev,  Drejtori  për Zhvillimin Rajonal për Rajonin e Evropës në WCO, u pritën edhe nga Zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj dhe Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero.

Kjo  është vizita e dytë që Kreu i Organizatës Botërore të Doganave viziton Shqipërinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb