Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo shkoi të hënën në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel, ndalesa e parë e udhëtimit të tij evropian.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus tha të hënën se zoti Pompeo do të takohet me aleatët evropianë në Belgjikë “për të diskutuar mbi veprimet dhe deklaratat kërcënuese të Republikës Islamike të Iranit kohët e fundit “.

Zëdhënësja shtoi se Sekretari i Shtetit “do të vazhdojë të koordinojë ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë, me synimin që interesat e përbashkëta në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën të jenë të sigurta”.

Fillimisht Sekretari Pompeo kishte planifikuar të takohej të hënën me diplomatët amerikanë dhe udhëheqësit e biznesit në Moskë, transmeton VOA. Pati një ndryshim të planeve të tij të dielën vonë dhe në vend të kësaj, ai ndaloi së pari në Belgjikë.

Planet për pjesën tjetër të udhëtimit të diplomatit të lartë amerikan mbeten të pandryshuara. Sekretari Pompeo shkon të martën në Soçi për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin dhe me Ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov.

Udhëtimi i zotit Pompeo vjen disa javë para një takimi të nivelit të lartë të G-20 në Osaka, të Japonisë, ku do të marrë pjesë edhe Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin. Udhëtimi i zotit Pompeut në Rusi ndodh në mesin e tensioneve mes të dy vendeve mbi Iranin.

Shtetet e Bashkuara po e forcojnë praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, në atë që zyrtarët thanë se ishte një “përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj një numri treguesish dhe paralajmëruesish shqetësues” nga Irani.

Aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln me një grup avionësh dhe katër bombardues të B-52 kanë mbërritur tashmë në Lindjen e Mesme, në përgjigje të shqetësimeve që Irani mund të planifikojë një sulm kundër objektivave amerikane.

Të mërkurën e kaluar Ministri i Jashtëm rus Lavrov i kërkoi Sekretarit Pompeo të përdorte diplomacinë në vend të kërcënimeve, për të zgjidhur çështjet, pas bisedimeve të zotit Lavrov me Ministrin e Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarifin në Moskë.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb