Në zgjedhjet parlamentare të datës 29 Shtator, për herë të parë në historinë austriake të pasluftës, FPÖ-ja, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë doli e para me 29,2 për qind të votave ose 57 vende në Parlamentin Federal me 183 deputetë. Duke lënë pas konservatorët e ÖVP-së me 443.000 vota më pak, ose 26 për qind me 51 vende, Social-Demokratët me 21 për qind ose 41 vende dhe të Gjelbërit me 9 për qind ose 10 vende. Një fitore e paralajmëruar mbas suksesit në zgjedhjet europiane më 9 qershor për FPÖ-në, forcë turbulente në skenën politike austriake.
Rikujtojmë se në vitin 2000 ajo doli e dyta dhe hyri në koalicion me konservatorët, ç’ka shkaktoi stuhi protestash dhe sanksione nga disa vende të BE-së. Më 2017, FPÖ-ja hyri sërish në koalicion me qendrën e djathtë, duke rënë mbas skandaleve dhe korrupsionit, ku u përfshinë lideri i saj dhe ish Kancelari Kurz. Në vitin 2020, e djathta e qendrës u bashkua me të Gjelbërit e sukseshëm duke qeverisur deri tani, por mes grindjesh dhe pakënaqësish në rritje, sidomos për të Gjelbërit. Në zgjedhjet e 29 Shtatorit kjo pakënaqësi u “ përkthye” me 20 deputetë më pak për konservatorët dhe humbjen e 10 vendeve parlamentare për të Gjelbërit.
Fitorja e tanishme e ekstremit të djathtë ishte një goditje e rëndë për politikën austriake dhe atë europiane në përgjithësi. Austria është qeverisur në pjesën më të madhe të periudhës së pasluftës nga koalicionet e social-demokratëve me konservatorët me frymë konsensusi. Shquhet ish Kancelari social – demokrat Franz Vranitcki, i cili e udhëhoqi atë koalicion 12 vite rresht, nga 1985 – janar 1997, duke dhënë dorëheqjen në kulmin e popullaritetit; mbasi e kishte kuptuar se politika kërkonte figura të reja. Fill pas asaj dorëheqjeje, ai u caktua si Ndërmjetësuesi Special Ndërkombëtar për krizën e piramidave në Shqipëri. Gjatë një viti studimi në Vjenë në vitin 1987-1988 dhe sidomos gjatë periudhës Mars – Tetor 1997, kur shërbeva si përkthyes zyrtar në takimet e nivelit më të lartë të Vranickit në Tiranë, pata shumë raste ta njihja dhe të shihja më nga afër cilësitë e larta të një lideri dhe personaliteti europian të qetë, të matur dhe karizmatik.
Mbas largimit të tij nga pushteti, Austria hyri në cikle paqëndrueshmërie institucionale, me eksperimente të dështuara politike herë nga të majtët/ gjelbërit dhe herë nga e djathta e qendrës që dolën më shumë në pah këto 15 vitet e fundit.
Për pasojë, u përshkallëzua zhgënjimi dhe zemërimi masiv për shkak të rënies së treguesve ekonomikë dhe socialë, prishjes së disa traditave mondane austriake dhe veçanërisht cënimin e ndjenjës së sigurisë, për shkak të dhunës në rritje dhe rrezikut të dyndjeve të azilkërkuesve. Veçanërisht i dëmshëm ishte precedenti gjerman në vitin 2015, kur ish Kancelarja Merkel në mënyrë të njënashme deklaroi se ” Ne do t’ia dalim” duke pranuar 1 milion azilantë të paligjshëm. Tani, imagjinoni Austrinë dhe Vjenën mondane, të qetë, të sigurt, muzikore, gjithmonë të bukur, të verës dhe argëtimit, të kërcënuar nga frika, pasiguria, dhuna, terrorizmi, deri te atentati i dështuar muajin e kaluar në koncertin e superyllit muzikor, Tailor Swift dhe zemërimin që ato kanë shkaktuar.
Në këto kushte, shumicës së Austriakëve u kishte ardhur vërtet “në majë të hundës”. Ndërkohë, shumë të tjerë shihnin me shqetësim se liderët e tyre ndërsa shqetësoheshin për gjeopolitikën, për agresionin rus kundër Ukrainës, Balkanin, etj, nuk po e ” vinin më ujin në zjarr” për hallet dhe telashet e tyre të përditshme por mjaftoheshin me fjalë dhe premtime të pambajtura.
Pikërisht këto boshllëqe dhe hendeqe jo të vogla shfrytëzuan ekstremistët e FPÖ–së me plane dhe premtime të bujshme. Natyrisht që motivim madhor për këtë parti ishte dhe përparimi i pandalshëm dhe ardhja në pushtet e “ simotrave” të tyre në Itali, Holandë, Suedi, Finlandë, Francë, Gjerman, Slovakii dhe gjetkë. Mbi të gjitha, në elektoratin austriak mbizotëron kërkesa e fortë për “politika të djathta” Partia e Lirisë në Austri ka luajtur dhe manovruar goxha me ndjenjën e frikës nga të huajt, nga valët e azilantëve, nga e keqja që është shumë pranë dhe do të vijë kudo, nëse nuk votohej për FPÖ-në. Sepse kjo e fundit “është patriote e vërtetë“, të tjerët, siç deklaronte lideri Herbert Kickl gjatë fushatës zgjedhore janë ” tradhëtarë” bukëshkalë, përçarës dhe bashkëautorë të çdo të keqeje“.
Por, cilat janë “sekretet“ dhe faktorët që fshihen mbas fitores historike të FPÖ-së?
Për këtë mjafton t’i hedhësh një sy programit zgjedhor prej 114 faqe të kësaj partie të paraqitur në publik gjatë muajit gusht. Logoja e këtij programi është “Kështjella Austri, Kështjella Liri”! Më synimin strategjik që Austria të kthehet në një “ishull të njerëzve të lumtur”. Për këtë qëllim, FPÖ-ja do të përqëndrohet, ndonëse me shumë pikpyetje dhe probleme në realizimin e planeve dhe premtimeve programore në pesë fusha jetike. Duke filluar me kufizimin, parandalimin dhe shmangien e ardhjes së azilantëve, të ligjshëm dhe të paligjshëm, me paketa masash dragoniane; parë dhe si masë kundër “importimit të islamizmit“.
Edhe pse disa prej tyre bien hapur ndesh me legjislacionin europian dhe konventat ndërkombëtare. Por, gjithsesi ato tingëllojnë “ muzikë” në veshët e austriakëve në ankth dhe të alarmuar. Për kthimin mbrapsht të azilantëve, ose “remigracionin” siç e quajnë, do të ashpërsohen kontrollet kufitare, do të hiqen përfitimet monetare; me përjashtim të rasteve urgjente do të hiqet kujdesi mjeksor, do reduktohen përfitimet sociale, nuk do të lejohen bashkimet familjare, do ngrihen qendra të posaçme për izolimin e azilantëve, do përshpejtohet shqyrtimi i kërkesave dhe rikthimi i tyre; do të shkurtohen në tre vjet afatet e qëndrimit e deri te kthimi i menjëhershëm i azilantëve nga Siria dhe Afganistani. Ideja është zero emigrantë, meqenëse Austria rrethohet nga vende anëtare të BE-së.
Komponenti i dytë i rëndësishëm do të jetë anti-wokizmi, dmth kundërshtimi ligjor i nismave dhe lëvizjeve të ndryshme sociale kryesisht të majta që ndikojnë në rritjen e ndërgjegjësimit publik për të sfiduar reformat problematike qeveritare. Po ashtu, parashikohet përcaktimi në Kushtetutë i njohjes vetëm të dy gjinive “ burrë dhe grua” çka sërish bie ndesh me legjislacionin europian dhe kërkon miratimin me 2/3 e votave në Parlament, diçka pothuajse e pamundur.
Kujdes i veçantë i kushtohet reformave në fushën e arsimit për të shmangur shumë dukuri të sotme negative. Sipas FPÖ-së, shkollat dhe universitetet nuk do të jenë më laboratorë të ekspertimeve ideologjike, të mësuesve të politizuar; ato do të kthehen në qendra për të marrë dije; gjatë orëve të mësimit do të ndalohet përdorimi i celularëve dhe internetit; nxënësit do të shkruajnë me dorë si dikur, do të inkurajohet leximi i librave, do të kufizohen ndjeshëm tematizimi i parakohshëm i edukatës seksuale, problemet e ndërrimit dhe ngatërrimit të gjinive, etj. Në klasa do të vendosen kryqe, ndërsa kopshtet do të festojnë Ditën e Shenjt Nikollës.
Programi i lartpërmendur përmban masa dhe reforma të shumta dhe në fushën e ekonomisë, financave, me synim rigjallërimin ekonomik mbas rënies së ndjeshme gjatë dy viteve të fundit. Ndërmjet tyre veçohet ulja nga 23 në 10 për qind e tatimeve për bizneset e vogla me xhiro vjetore 450.000 Euro, rifillimi i furnizimit me gazin rus për të siguruar stabilitetin energjitik dhe masa të tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar votash.
Demokracia është fusha tjetër me përparësi reformash kushtetuese; me këtë rast parashihet krijimi i një “ instrumenti për nisma popullore“ si shprehje e demokracisë së drejtpërdrejtë, kur grupe qytetarësh të propozojnë ligje, për shkarkimin e ministrave të caktuar e derite heqja e dënimit me vdekje, të cilat pastaj të miratohen nga Parlamenti. Nëse ai nuk i miraton, atëhere parashikohet organizimi i një referendumi, rezultati i të cilit do të jetë i detyrueshëm. Po ashtu, parashikohet e drejta qytetare për të shkarkuar direkt nje ose dy ministra, që gjithsesi ka nevojë për 2/3 dhe ndryshimin e Kushtetuës.
Gjithsesi, përpara se të nisë zbatimin e këtij programi tejet ambicioz, FPÖ-ja duhet të krijojë një koalicion të ri qeveritar, mision tepër i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Për këtë qëllim, ajo ka krijuar një grup të posaçëm pune me 5 vetë për “ të tatuar pulsin” e partive të tjera. Mirëpo, asnjë prej tyre nuk po pranon të hyjë koalicion me të, nëse ajo nuk heq dorë nga emërimi i liderit të saj Herbert Kickl si Kancelar, por ajo këmbëngul. Nëse nuk realizohet koalicioni i djathtë, atëhere do të mbetet varianti i një koalicioni të madh tradicional midis konservatorëve dhe social-demokratëve, meqenëse të dyja kanë 92 vende në Parlamentin Federal, aq sa duhet për shumicën minimale; por dhe kjo paraqitet e vështirë për shkak të alergjisë së krijuar ndaj këtij koalicioni të madh.
Nga ana tjetër, konservatorët nuk bashkëpunojnë më me të Gjelbërit se boll patën “gërvëre“ në 4 vitet e fundit; por dhe nëse duan, kjo nuk arrihet dot për shkak të numrave të pamjaftueshëm; as social-demokratët me të Gjelbërit nuk i kanë numrat për shumicën parlamentare. Ndërsa një qeveri pakice nuk është në traditën austriake dhe do rrëzohet shpejt me votë mosbesimi.
Kësisoj, në pamundësi për krijimin e qeverisë së re mbetet alternativa e zgjedhjeve te reja të parakohëshme; por dhe ato me shumë të panjohura, mbasi ekziston rreziku që asnjë parti të mos sigurojë shumicën.
Gjithsesi, dhe në një rast të tillë, FPÖ-ja është në pozita më të mira për shkak të erërave të favorshme që po fryjnë në drejtim të ekstremit të djathtë kudo në botë dhe në Europë, në Francë, Gjermani dhe mbi të gjitha nga fati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA më 5 nëntor.
Sa për partitë tradicionale të qendrës, të majta dhe të djathta, ndonëse e kanë kuptuar se duhet të “ndryshojnë kurs dhe timon“, kjo nuk është dhe aq e lehtë se kërkon punë dhe kohë. Jo vetëm se kanë humbur një apo dy palë zgjedhje, por nuk e kanë më besueshërinë politike te elektoratet dhe as te bastionet e tyre, e sidomos te rinia. Kjo për shkak të dështimeve qeverisëse dhe mungesës së alternativave bindëse ndaj krizave dhe konflikteve, duke lënë mbas dore shtresat e varfëra dhe të mesme që janë baza e tyre. Po ashtu, atyre u mungojnë liderët karizmatikë që dinë ” të bëjnë diferencën”.
Vërtetë që shumë nga ata që votojnë ekstremin e djathtë e dijnë se dhe ajo nuk do të bëjë ndonjë gjë të madhe, por vota pro tyre është protestë, shuplakë e fortë, pësim dhe mësim për partitë e tyre që t’u përgjigjen në kohë kërkesave dhe sfidave të kohës dhe jo më me “gjuhë korrekte politike, as mish as peshk”.
Së fundi, fitorja e FPÖ dhe mungesa e stabilitetit politik në Austri nuk është lajm dhe ogur i mirë as në fushën e politikës së jashtme. Bëhet fjalë për një vend kyç dhe nyje e diplomacisë botërore, ku ka selinë Agjencia e Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, OKB-ja dhe OSBE-ja, mbështetëse e proceseve Euro-Atlantike dhe Ballkanit Perendimor. FPÖ-ja ka qenë anti-europiane, anti-NATO dhe pro-ruse. Gjithsesi urojmë që kjo të mos ketë ndikime negative në procesin e zgjerimit dhe sidomos ndaj negociatave tona me BE-në, të cilat pritet të fillojnë më 15 Tetor.
(BalkanWeb)