Egnatia është ngjitur në krye, duke treguar se edhe këtë sezon do të jenë ata pretendentët kryesorë për të mbrojtur titullin kampion. Fitorja në Shkodër përballë një rivali direkt ishte një “sinjal” për të gjitha ekipet e Superiores se Egnatia është rikthyer të jetë ajo që i ka dhënë tonin këto dy sezonet e fundit.

 

Duket se rrogozhinasit këtë 2025 janë kthyer në një makineri perfekte, por gjithsesi mbetet për t’u parë sesa gjatë do ta mbajnë kampionët këtë pozicion. Thuhet kështu, pasi edhe më herët gjatë këtij sezoni kanë qenë në krye, por pa e mbajtur dot gjatë, duke këmbyer vendet me ekipet e tjera pretendente.

KTHESA – Ngjitja e Egnatias në krye nuk ka ardhur rastësisht, sepse gradualisht rrogozhinasit rritën lojën e tyre, duke shkuar deri aty sa tani duket se Tetova ka një makineri perfekte në dispozicion. Kthesa e Egnatias nisi në ndeshjen e fundit të vitit të kaluar, pikërisht në finalen e Superkupës përballë Kukësit, në të cilën arritën të fitonin në shifrat 2-0.

Ky ishte trofeu që plotësoi “tripletën” e një sezoni dhe i dha mundësi të fitonin çdo gjë të mundshme në futbollin shqiptar në harkun e një viti. Më pas, rrogozhinasit e nisën vitin me një fitore minimale ndaj Laçit me një gol në sekondat e fundit, por që vlejti për të marrë tri pikët.

Kaluan me sukses edhe në fazën tjetër të Kupës, duke mposhtur thellë Kastriotin me rezultatin 4-0. Me të njëjtat shifra vijuan edhe në kampionat, ku treguan “dhëmbët” ndaj Tiranës, çka solli edhe largimin e Maganit. Për t’i vënë “vulën” kthesës së rezultateve ishte triumfi në “Loro Boriçi” me shifrat 0-2. Mbetet për t’u parë sesa do të vijojë kjo ecuri e tyre, ndërsa ndeshjen e radhës do të presin në shtëpi skuadrën e Bylisit.

SEKRETI – Të gjitha fitoret e fundit të Egnatias kanë një “sekret” që lidhet me golat e pësuar. Në pesë ndeshjet e fundit, ekipi i Edlir Tetovës ka mbajtur portën të paprekur, e cila përkthehet në 450 minuta pa pësuar gol. Duket se asgjë nuk është rastësore dhe rrogozhinasit kanë gjetur ekuilibrat e duhur në prapavijë, duke mos i dhënë shumë mundësi kundërshtarit që të vënë në rrezik portën e tyre.

Në tre ndeshjet e fundit kanë pasur në portë Dajsinanin, i cili u bashkua me ta nga radhët e Laçit dhe që ka rritur ndjeshëm edhe cilësinë dhe sigurinë në portë. Për aq kohë sa Egnatia do te mbajë portën të paprekur, edhe shanset për të shkuar tek triumfi do t’i ketë më të mëdha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb