I riu që u denoncua për përdhunim tri ditë më parë nga e fejuara, është arrestuar të enjten nga Policia e Tiranës. Burimet thanë se 30-vjeçari me iniciale J.H., është ndaluar nga shërbimet e Komisariatit nr.1 që e kishin shpallur në kërkim më 15 gusht, pas denoncimit që bëri ndaj tij, shtetasja R.L., 20 vjeçe.


Mësohet se gjatë deklarimeve që ka dhënë para hetuesve, i dyshuari ka mohuar akuzat e së fejuarës, duke thënë se marrëdhëniet seksuale kishin qenë gjithmonë me dëshirën e saj dhe në asnjë rast nuk ka abuzuar me të.


Megjithatë ai ka pranuar pjesërisht akuzën tjetër të ngritur nga Policia, atë të dhunës në familje, duke deklaruar se në ndonjë rast nervozizmi mund të ketë ushtruar dhunë psikologjike ndaj të fejuarës, por asnjë herë nuk e ka goditur.


Shtetasi me iniciale J.H., u denoncua për marrëdhënie seksuale me dhunë nga e fejuara e tij mesditën e datës 15 gusht. Vajza me iniciale R.L., pretendonte në Polici se, i dyshuari ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë dhe jashtë dëshirës së saj, përgjatë dy muajve të fundit. Shërbimet e Komisariatit nr.1 kanë shkuar menjëherë në adresën ku supozohej se ndodhej i dyshuari me iniciale J.H., por ai nuk është gjetur aty.

Nga ana tjetër, edhe vetë e dëmtuara, në deklarimet e saj ka treguar se prej disa ditësh telefoni i tij del vazhdimisht i fikur dhe ai nuk i është përgjigjur as mesazheve të saj. Policia tha se nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë larguar nga Shqipëria, pasi herën e fundit që ka abuzuar seksualisht me të fejuarën e tij, 10 vjet më të vogël, kjo e fundit e ka paralajmëruar se do ta denonconte në Polici.

Megjithatë nga kërkimet nuk rezultoi që ai të kishte kaluar kufirin shtetëror, pasi u gjet dhe u ndalua në një lokal në Tiranë. Vajza ka treguar se ishte fejuar me 30-vjeçarin para rreth 6 muajsh, ndërsa dy muaj më parë ai e ka përdhunuar, pasi ajo kishte refuzuar që të kryente marrëdhënie seksuale me dëshirë me të, shkruan “Panorama”. Pas këtij momenti, i dyshuari i ka premtuar vajzës që nuk do të abuzonte më me të, por nuk duhej t’i tregonte askujt.

E megjithatë vajza ka deklaruar se nuk kishte ndodhur ashtu. Ai kishte vijuar të abuzonte seksualisht me të, në banesën e prindërve të tij, por edhe të vajzës, sa herë që ndodhej vetëm me të.

Madje vajza pretendon se edhe është dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga 30- vjeçari, i cili e kërcënonte që të mos i tregonte askujt, në të kundërt do të ndahej me të dhe do t’i bënte keq familjarëve të saj./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb