TIRANE- Gjykata e Krimeve të Rënda nuk merr vendim për kërkesën e Prokurorisë në lidhje me kërkesën për konfiskim të pasurive të Kastriot Ismailajt, administratorit të kompanisë “Debt International Advisory” (DIA) dhe nënës së tij Lutfije Ismailajt. Nga hetimet e deritanishme rezulton se përmes shoqërisë së tij “Adriatic Development Corporation LTD” kontraktuar nga CEZ për mbledhjen e borxheve, Kastriot Ismailaj kishte kryer transferta të dyshimta bankare në drejtim të vendeve që konsiderohen si “parajsa fiskale”.

Administratori i DIA-s, kompanisë që u kontraktua nga kompania çeke CEZ shpërndarje, dyshohet të ketë përvetësuar përmes skemës mashtruese një shumë prej 4.8 milionë euro, në bashkëpunim me ish-kreun e bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, Josef Hejsek përgjatë periudhës nëntor 2010-tetor 2011.

Gjykata e Krimeve të Rënda mori sot ë shqyrtim kërkesën e prokurorisë për konfiskimin e llogarive të shoqërisë “Adriatic Development Corporation LTD” të Kastriot Ismailaj në vlerat 3.2 milionë USD dhe 450.000 Euro, por kërkoi kohë për ta shqyrtuar provat e vëna në dispozicion nga prokuroria.

Nga verifikimet e të ardhurave të të afërmve të Ismailajt, rezulton së në llogarinë e nënës së tij janë gjetur shuma të konsiderueshme parash, për të cilat është kërkuar konfiskimi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb