DURRËS- Rreth 1.5 kg heroinë e pastër, e mbërritur nga Kosova nëpërmjet pikës kufitare të Morinës është kapur në Durrës, ndërsa në pranga kanë rënë katër persona. Operacioni policor “Smart” është finalizuar nga Antidroga dhe Prokuroria e krimeve të Rënda, 2 muaj nga nisja e hetimeve, me arrestimin e tre personave nga qyteti i Lushnjës dhe një nga Berati me banim në Shijak.

Konkretisht janë arrestuar 44-vjecari Sajmir Taullai, dhe 23-vjecari Laert Haxhiu, kundërshtarë të bandës së Aldo Bares.

Po ashtu në pranga janë vënë edhe Kastriot Zaimi dhe Afrim Demiri, 54 vjeç.

Arrestimi i tyre u bë poshtë mbikalimit të Plepave. Në momentin që ka ndërhyrë policia 23-vjeçari Laert Haxhiu ka tentuar të largohet duke u hedhur nga një mur katër metra i lartë, e për pasojë ka thyer këmbën. Ai është dërguar në spital për mjekim saktësojnë burimet.

Taullai dhe Haxhiu nga Lushnja njihen si persona me precedentë rëndë penalë. Po sipas burimeve policore 23-vjeçari kishte 8 muaj që kishte dalë nga burgu ku kreu dënim për vrasjen e shokut të ngushtë të Aldo Bares të njohur me nofkën Iriqi.

Ndërkohë, Saimir Taullai është arrestuar edhe në vitin 2003, ku gjatë një kontrolli në banesën e tij iu gjet një sasi droge dhe armë. Gjithashtu ai ka kryer edhe disa vite burg për vrasje.

Sipas burimeve policore 44-vjeçari Saimir Taullai është vëllai i Baki Taullait, i njohur si biznesmen karburantesh në Lushnjë i ekzekutuar nga banda e Lushnjës në korrik të vitit 2005. Sajmir Taullai rezultoi nga dëshmitarët kyç në dënimin e anëtarëve të Bandës së Lushnjës.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: