Forcat e Drejtorisë së Policisë Durrës kanë zhvilluar kontrolle intensive për rritjen e parametrave të sigurisë dhe goditjen e paligjshmërisë. Policia ka sekuestruar 2 armë zjarri (pushkë), municion luftarak, 1.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa, teksa ka vënë në pranga 6 persona

Në Krujë, bazuar në informacionet e siguruara se 1 shtetas posedonte armë zjarri në banesë dhe kishte tendencë për kultivim të bimëve narkotike, strukturat e DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Durrës dhe Krujë, lokalizuan dhe arrestuan në flagrancë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”, shtetasin Mikel Doda, 47 vjeç, banues në Krujë dhe për veprën penale “Moskallëzim krimi”, shtetasin Mirosh Nikolla, 48 vjeç, banues në Manzë, Durrës.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Mikle Doda, në Krujë, ku ndodhej dhe shtetasi Mirosh Nikolla, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri pushkë dhe 16 fishekë. Gjithashtu, gjatë kontrollit në oborrin e banesës së vjetër të këtij shtetasi u gjetën të kultivuar fidanë kanabis.

Po nga këto struktura u arrestua në flagrancë shtetasi Ali Kurti, banues në Zallë, Fushë Krujë, pasi nga kontrolli i ushtruar në oborrin e banesës së tij u gjetën bimë të kultivuara fidanë kanabis.

Nga strukturat e DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, në bazë të informacioneve se një shtetas dispononte sende të kundërligjshme me vete, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasin Sulejman Hidri, 30 vjeç, banues në Fushë Krujë. Shërbimet e Policisë në Zallë, Fushë Krujë, pasi kanë ndaluar mjetin tip “Renault”, me drejtues shtetasin Sulejman Hidri. H., gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi prej 1.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa.

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, u ndaluan shtetasit e shpallur në kërkim:
Mynyr Koçiu, 63 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e ka dënuar me 5 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”;

I. T., 60 vjeç, banues në Larushkë, Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: