Finalizohet operacioni policor i koduar “Melgusha”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimin të bimëve narkotike, ndërsa në pranga ranë babë e bir.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se është evidentuar një serë, në të cilën ishin kultivuar 2600 fidanë, të dyshuar kanabis. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, Strukturat Hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vau i Dejës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Melgusha”.
Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, u ushtrua kontroll në një serë, në lagjen “Shegaj” të fshatit Melgushë, të Vaut të Dejës. Si rezultat i kontrollit u gjetën dhe u asgjesuan 2600 fidanë, të dyshuar kanabis, që ishin kultivuar në serë. Në vijim të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve L.Sh., 51 vjeç dhe E.Sh., 26 vjeç, (babë e bir), banues në Melgushë, Vau i Dejës. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.