VLORE-Sekuestrohen 44 mijë metra katrorë tokë në zonën bregdetare të “Jonufrës” në qytetin e Vlorës, pasi rezulton të jetë përfituar përmes dokumentesh të falsifikuara.

Prokuroria e Vlorës ka vendosur sekuestro preventive për këtë sipërfaqe toke, e cila ka vlerë tregu rreth 4.4 milionë euro. Toka dyshohet se është përfituar nga pasardhësit e shtetasit Gjon Gjonboçari në bazë të dokumentave të fallsifikuar

Hetimet nga Prokuroria
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, mbi bazën e kallëzimit penal të kryer nga Z.Q.Rr.P.P Tiranë, ka regjistruar procedimin penal me nr.375 të vitit 2015, për veprat penale “falsifikimi i dokumentave” dhe “shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara nga nenet 186 dhe 248 të K.Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal ka rezultuar se në Z.V.Rr.P.P Vlorë, në numërin rendor nr.1709, datë 26.1.2012 të rregjistrit hipotekor, është rregjistruar në pronësi të subjektit Gjon Gjonboçari një pasuri e paluajtshme me sipërfaqe totale prej 44.168 m², e ndodhur në vëndin e quajtur “Jonufra”, Vlorë.
Pasuria e mësipërme është rregjistruar mbi bazën e dokumentit “Akt i Marrjes së Tokës në Pronësi”, Nr.20691, datë 01.09.1996, në emër të Gjon Gjonboçarit, në përmbajtje të të cilit përshkruhet se personi i mësipërm ka përfituar një sipërfaqe tokë bujqësore prej 57.200 m². Dokumenti i mësipërm dyshohet se është me përmbajtje të falsifikuar dhe nuk rezulton që ky akt të jetë nxjerrë nga organi kompetent. Njëkohësisht, rregjistrimi i pasurisë së mësipërme është kryer mbi bazën e veprimeve të kundraligjshme të ish punonjësve të Z.V.Rr.P.P Vlorë dhe të ish punonjësve të Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Prefektit të Qarkut Vlorë.
Në rrethanat e mësipërme, është vlerësuar se pasuria e paluajtshme e rregjistruar mbi bazën e dokumentit “Akt i Marrjes së Tokës në Pronësi”, Nr.20691, datë 01.09.1996, në emër të Gjon Gjonboçarit, me sipërfaqe totale prej 44.168 m², e ndodhur në vëndin e quajtur “Jonufra”, Vlorë, përbën produkt të veprave penale “falsifikimi i dokumentave” dhe “shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara nga nenet 186 dhe 248 të K.Penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin me nr.551, datë 03.12.2015, mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë, ka vendosur masën e sigurimit pasurore “sekuestro preventive” lidhur me pasurinë e paluajtshme të rregjistruar mbi bazën e A.M.T.P nr.20691, datë 01.09.1996, në emër të Gjon Gjonbocarit, që bën fjalë për sipërfaqen prej 57.200 m², por që në fakt është rregjistruar vetëm sipërfaqeja totale prej 44.168 m².
Pasuria e paluajtshme në fjalë është e rregjistruar si tokë bujqësore, por ndodhet në vijën bregdetare të qytetit të Vlorës, në vendin e quajtur “Jonufra”. Duke u nisur nga destinacioni i kësaj pasurie të paluajtshme, vlera e tregut të kësaj pasurie të paluajtshme është në shumën prej rreth 4.400.000 euro.
Aktualisht, po vijojnë hetimet e mëtejshme për marrjen në përgjegjësi penale të personave të përfshirë në veprimtarinë e kundraligjshme të rregjistrimit të kësaj pasurie në pronësi të subjektit Gjon Gjonboçari.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: