SARANDE- Policia e Shtetit ka dhënë informacion për operacionin, ku u arrestuan dy shqiptarë me dy çanta me 46 kg marijuanë në kufirin greko-shqiptar në Igumenicë. Policia e Shtetit bën me dije se operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me policinë greke. Të arrestuarit janë Martin Buzi, 23 vjeç nga Fieri dhe Sabri Mema, 25 vjeç nga Berati të cilët po transportonin më këmbë dy çanta me 23 pako që përmbanin 46 kg 140 gram marijuanë gjithsej.

Njoftimi i policise:

Finalizimi me sukses i Operacionit u arrit si rezultat i bashkëpunimit ndërkufitar me Policinë Greke falë shkëmbimit në kohë të informacioneve të ndërsjellta.

Policia Kufitare Sarandë dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Kufitare Greke dhe Antidrogën kanë bërë të mundur finalizimin me sukeses të Operacionit, ku më datë 22.09.2018, nga ana e Policisë Greke u bë e mundur kapja e dy shtetasve dhe konkretisht :

– M. B., 23 vjeç, banues në Fier

– S.M., 25 vjeç, banues në Berat

Si dhe sekuestrimi i dy çantave të shpinës ku brenda tyre kishte 46 kilogramë e 140 gramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Operacioni ka nisur 48 orë më parë nga Policia Kufitare e Livadhjasë Sarandë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë, ku gjatë patrullimit në kufirin jeshil , Policia Kufitare ka konstatuar shtetasit që po transportonin lëndën narkotike në drejtim të shtetit Grek.

Menjëherë është njoftuar Policia Kufitare Greke dhe Antidroga, ku në bashkëpunim e koordinim të plotë mes shërbimeve tona dhe Policisë Greke është mbajtur nën vëzhgim lëvizja e tyre, ku është finalizuar me kapjen e tyre në vendin e quajtur “Koritiani Thesproti”, Igumenicë Greqi.

Po punohet për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të këtij rasti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb