Policia e Lezhës ka arrestuar një 46-vjeçar, banues në Rumani, pasi është kapur me mallra kontrabandë gati për shitje, që arrinin vlerën e 27 mijë eurove.


Në pranga ka rënë shtetasi I. G., të cilit gjatë kontrollit në makinë dhe banesën që kishte me qira i janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme enësh dhe aksesorë kuzhine të paketuara gati për shitje.


Njoftimi i policisë:
Lezhë / Vijon operacioni kundër informalitetit
Nga specialistët për hetimin e krimit ekonomik e financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në kuadër të planit të posaçëm të masave për luftën kundër informalitet, në aksin rrugor Fushë Milot – Lezhë, u arrestua në flagrancë shtetasi I.G., 46 vjeç, banues në Rumani.


Këtij shtetasi, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin, si dhe në banesën e tij të marrë me qera, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e proves materiale një sasi e konsiderueshme enësh dhe aksesorë kuzhine të paketuara gati për shitje, në vlerë monetare rreth 27 000 euro.

Të gjitha mallrat ishin pa dokumentacion përkatës dhe të dyshuara kontrabandë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe mjeti, në të cilin u gjendën mallrat e dyshuar kontrabandë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë për veprat penale në ngarkim të tij “Kontrabandë me mallra të tjerë”, “Fshehja e të ardhurave” , “Manipulim i tregut” dhe “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale”.

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)