Edicioni i rradhës i seleksionimeve Open Stage për futbollistët e rinj shqiptarë që jetojnë dhe luajnë në vende të ndryshme të botës ka përmbyllur rrugëtimin e tij. Përgjatë 4 ditëve, në “Shtëpinë e Futbollit” u mirëpritën qindra djem aspirantë për t’u bërë pjesë e ekipeve kombëtare në të ardhmen. Drejtori Teknik në Federatën e Futbollit, Fulvio Pea, dha një prononcim mbi mbarëvajtjen e procesit dhe u shpreh shumë i kënaqur me prurjet e këtij viti.
“Edicioni i dytë ka shkuar shumë mirë, akoma më mirë se vitin e kaluar. Kemi pasur 550 pjesëmarrës dhe kjo u ka dhënë mundësinë shumë djemve shqiptarë që jetojnë larg vendit të tyre të mund të veshin një herë fanellën e Kombëtares dhe të përjetojnë një eksperiencë të paharrueshme në një qendër sportive kaq të bukur, sepse federata ka investuar shumë dhe po vazhdon të investojë në të ardhmen e saj. Këta të rinj janë dëshmia”, – u shpreh Pea fillimisht, ndërkohë që më pas zbuloi detaje të tjera në lidhje me seleksionimet e bëra.
“Kanë marrë pjesë 550 djem, të ndarë në 4 ditë. Jemi të kënaqur nga çfarë kemi parë, si për angazhimin, por edhe profesionalizmin e tyre. Disa prej tyre vijnë nga Italia, Gjermania, Belgjika, ndaj jemi krenarë që kemi pasur kaq shumë regjistrime. Departamenti yne i skautizmit ka qenë prezent, me në krye Ardi Beharin, i cili ka punuar me shumë vëmendje në organizim dhe trajnerët tanë që kanë marrë pjesë për të mbledhur informacionet më të mira dhe për të evidentuar djemtë më të mirë të këtyre ditëve”, – shtoi drejtori Teknik i FSHF-së.
“Ky seleksionim është organizuar për të gjetur djem të talentuar, që mund të bëjë pjesë në skuadrat tona Kombëtare dhe jemi shumë të lumtur që ky Open Stage, që na ka marrë shumë energji dhe impenjim, mund të na ketë dhuruar ndonjë lojtar që mund të bëhet pjesë e skuadrave tona, sepse do të ishte një element më tepër në punën që ne bëjmë çdo ditë” – përfundoi Pea.