Senatori amerikan, Lindsey Graham tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të përfshihen më shumë në zhvillimin ekonomik të Malit të Zi.

Senatori Graham, pas takimit me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, dhe kryetarin e parlamentit, Ivan Brajoviç, tha se bashkëpunimi ndërmjet Malit të Zi dhe Kinës, është vendim i këtyre dy vendeve, por sipas tij, Mali i Zi të ardhmen e tij e sheh si pjesë të vendeve perëndimore.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë, nëse administrata amerikane është e shqetësuar me investimet kineze në Malin e Zi, Graham tha se për këtë çështje ka biseduar edhe me zyrtarët e Malit të Zi.

“Kam biseduar për investimet kineze me presidentin e shtetit, kryetarin e parlamentit dhe ajo që kam ardhur në përfundim është se SHBA-ja duhet të jenë më konkurruese. Sepse Kina me të vërtetë ofroi një pako të mirë (ndërtimin e autostradave në Malin e Zi) dhe kushte të mira, andaj unë mendoj se vendet e Evropës duhet të përfshihen më shumë në zhvillimin e ekonomisë së Malit të Zi. Kjo vlen edhe për SHBA-në. Unë me të vërtetë shpresoj se vendet e BE-së dhe SHBA-së gjithashtu do të jenë në gjendje të integrohen me ekonominë tuaj. Në këtë situatë, unë me të vërtetë nuk mund ta fajësoj Kinën, por ne duhet të jemi konkurrues”, deklaroi senatori Graham.

Ai më tej tha se zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Malin e Zi, janë test që do të tregojnë nëse në Malin e Zi është instaluar demokracia e vërtetë.

“Forcat që duan të minojnë përpjekjet e Malit të Zi në rrugën e saj drejt demokracisë dhe që minojnë përpjekjet drejt rrugës së saj drejt NATO-s, janë gjithashtu forca që punojnë kundër nesh. Dhe është e rëndësishme që ne t’i mposhtim ata këtu, jo vetëm për të ardhmen e Malit të Zi, por edhe për të ardhmen e të gjithë rajonit”, tha senatori Graham.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb