TIRANE– Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj priti në takim Senatorin italian, Luciano D’Alfonso, i cili më parë ka ushtruar detyrën e Presidentit të Rajonit të Abruzos dhe atë të kryetarit të Bashkisë së Peskarës, ku jeton një komunitet i madh shqiptarësh.


Temë kryesore e bisedës mes kryebashkiakut Veliaj dhe Senatorit D’Alfonso ishte forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, nxitja e investimeve italiane në Shqipëri, si dhe shkëmbimi i eksperiencave më të mira mes dy vendeve në fusha të ndryshme.


Senatori Luciano D’Alfonso vlerësoi ndryshimet që ka pësuar Tirana dhe theksoi se kryebashkiaku Veliaj përfaqëson një pikë referimi jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare për qeverisjen e mirë.


“Jam shumë i kënaqur që gjendem sërish në qytetin e Tiranës, për t’u përshëndetur me kryebashkiakun e Tiranës, i cili për mua përfaqëson një pikë referimi jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare për qeverisjen e mirë”, tha D’Alfonso.

Ai vlerësoi përparimin që po bën kryeqyteti shqiptar në përmirësimin e infrastrukturës dhe të cilësisë së jetës së qytetarëve. “Njihem me hapat e mrekullueshëm që janë bërë nga pikëpamja e cilësisë së jetesës, për ambicien e strukturimit si një qytet funksional”, tha senatori D’Alfonso.

Sipas tij, në Tiranë ekziston një klimë më e mirë e të bërit biznes dhe qyteti ka aftësi për të thithur investimet e huaja, të cilat gjejnë terren të favorshëm për të ushtruar veprimtarinë e tyre ekonomike.

“Në Tiranë gjen shumë mirë edhe projekte investimi nga sipërmarrës italianë. E gjithë kjo i shkon si meritë atij që sot është në qeverinë qendrore, Edi Ramës, por shkon edhe si meritë e atij që është në qeverisjen lokale. Shoh se ju keni kapacitetin për identifikimin e pritshmërive të qytetarëve, të sipërmarrësve dhe keni ndërtuar një qytet që ecën me shpejtësinë e Europën”, nënvizoi senatori D’Alfonso.

Kryebashkiaku Veliaj bëri një paraqitje të transformimit të Tiranës, duke u ndalur në mënyrë të veçantë te punët dhe zhvillimi që ka pësuar kryeqyteti shqiptar në vitet e fundit. Ai vlerësoi marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë mes vendeve dhe u shpreh optimist për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit e të rritjes së numrit të investitorëve të huaj.

“Është një moment special për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Italisë. Qeveritë ndërrojnë, por njerëzit mbeten, dhe raporti që kemi mes njerëzve është një raport i jashtëzakonshëm, ndaj mezi pres gjithashtu që investimet Abruceze në Tiranë apo në Shqipëri, ato që janë biseduar edhe me kryeministrin edhe me Bashkinë, të mund të ecin përoara. Sot sipërmarrësit nuk duhen anatemuar, sipërmarrësit janë për t’u përqafuar, nuk mund të bëjmë politikë nëse nuk ka sipërmarrës që punësojnë njerëz, që eksperimentojnë në fusha të reja dhe që në fund i zhvillojnë të dyja kombet, si këndej, si andej Adriatikut”, deklaroi Veliaj.

Duke vlerësuar kontributin pozitiv që Luciano D’Alfonso ka luajtur në të kaluarën, si President i Rajonit të Abruzo-s dhe atë të Kryetarit të Bashkisë së Peskarës, Veliaj shprehu besimin se kjo urë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë do të forcohet akoma më shumë në nivelin qendror.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb