Deputetja e Partisë Socialiste, Senida Mesi, në seancën e sotme kuvendore që zhvillohen në kuadër të javës së gjelbër, kur deputetët ndodhen pranë zonave të tyre elektorale, ka deklaruar se në Bashkinë e Shkodrës ka nevojë imediate për të reformuar institucionet lokale.

“Në lidhje me Bashkinë Shkodër, marrë në konsideratë zgjedhjet e 30 qershorit dhe nevojën e reformimit të institucioneve të varësisë, agjencive, etj., kemi nevojë imediate për drejtues të institucioneve që i japin Shkodrës shërbime dinjitoze, pa interesa politike e personale, por duke pasur parasysh të mirën e përbashkët,” u shpreh ajo.

Nisur edhe nga fakti që po përgatiten tashmë prioritetet e projektbuxhetit të vitit të ardhshëm dhe atij afatmesëm, Mesi tha se kërkohen ndërhyrje në institucione arsimore shëndetësore si dhe të disa objekteve kulturore.

“Duhet të përcaktojmë prioritetet për investim në ato shkolla ku numri i nxënësve është i lartë dhe nevojat më të mëdha. Për shëndetësinë është bërë shumë në Bashkinë Shkodër, por dua të ngre shqetësimin në lidhje me disa qendra shëndetësore në zona rurale. Dua të sjell në vëmendjen e Ministrisë së Kulturës rivitalizimin e kalasë Rozafa, përfundimin e fazës së dytë të rikonstruksionit të Teatrit Migjeni si dhe ndërtimin e një kompleksi sportiv disiplinor,duke synuar të të edukojmë rininë nëpërmjet sportit,”tha ndër të tjera Mesi./ATA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb