KOSOVË- Unioni i Gazetarëve të Serbisë dhe Shoqata e Gazetarëve të Kosovës e Metohisë (si e degë e të parës) kërkojnë themelimin e kanalit të pavarur televiziv në gjuhën serbe.

Ata, siç transmeton Radio KiM, kanë kritikuar drejtorin e RTK2 Zharko Joksimoviqin se gjoja po pengon themelimin e këtij kanali, ndonëse, sipas tyre, kjo është një e drejtë dhe domosdoshmëri e njohur me dokumente ndërkombëtare.

Këto organizata kanë kritikuar Joksimoviqin sepse ky në sajtin e televizionit publik ka kritikuar raportin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Branimir Stojanoviqin, sipas të cilit RTK2 nuk është kanal i paraparë me Planin e Ahtisarit dhe se duhet të ndryshohet korniza ligjore në mënyrë që në Kosovë të themelohet kanali plotësisht i pavarur në gjuhën serbe.

Organizatat serbe të gazetarëve në Serbi e Kosovë, transmeton Koha.net, mbështesin pohimet në raportin e zëvendëskryeministrit Stojanoviq, sipas të cilit me rastin e formimit të kanalit RTK2 është shkelur Kushtetuta e Kosovës.

“Në vend të kanalit të pavarur televiziv në gjuhën serbe, që do të mbulonte me sinjal gjithë territorin e Kosovës, populli serb ka fituar një kanal tokësor RTK2 nën kontrollin financiar e redaktues të televizionit publik të Kosovës”, thuhet në kumtesën e këtyre organizatave.

“Unioni i Gazetarëve të Serbisë dhe Shoqata e Gazetarëve të Kosovës e Metohisë ritheksojnë se kanali i pavarur në gjuhën serbe duhet të ketë këshillin e vet drejtues që zgjedh vetë drejtorin, me seli në Graçanicë, dhe duhet të ketë mekanizmat ligjore që do të garantonin financa të pavarura, politika të pavarura drejtuese, redaktuese dhe programore”, theksohet në komunikatë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: