Serbë nga Kosova dhe rajoni shënuan të premten Ditën e Shën Vidit, të njohur edhe si Vidovdan, në Manastirin e Graçanicës, pranë Prishtinës.


Liturgjitë u udhëhoqen nga metropolitani Amfilohije dhe peshkopi Teodosije, së bashku me priftërinj të Kishës Ortodokse Serbe, ndërsa të të pranishmëve iu drejtua peshkopi i pensionuar, Atanasije. “Ky është vendi i fitores dhe nuk është i vetmi. Kemi fitore të mëvonshme në Kosharë dhe Pashtrik. E kemi mundur edhe NATO-n dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha mes tjerash Atanasije.


Sipas vlerësimeve të Policisë së Kosovës, në ceremonitë në lokacionin e Gazimestanit morën pjesë 800 deri në 1,000 vetë, kryesisht serbë nga Kosova dhe Serbia, porse ka pasur edhe automjete nga Bosnja dhe Sllovenia. Askush nga përfaqësuesit e lartë politikë serbë nga Kosova apo Serbia nuk ka qenë i pranishëm.


Kremtimi i Vidovdanit ndërlidhet me përvjetorin e 630-të të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitore shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.

(Balkanweb)