Organizatat joqeveritare “Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut” (YIHR), “Fondi për të Drejtën Humanitare” dhe “Gratë në të zeza” organizuan të martën në Beograd një tubimi përkujtimor për krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës, trupat e të cilëve janë gjetur në varrezën masive në Batajnicë, vend pranë kryeqytetit të Serbisë.

Tubimi filloi në njërën ndër rrugët kryesore të Beogradit, “Knez Mihajllov”, për të vazhduar deri te sheshi përpara ndërtesës së Kuvendit të Serbisë. Organizatat joqeveritare në shtetin serb kërkojnë vazhdimisht zbardhje të krimeve ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe gjithashtu vënien përpara përgjegjësisë të kriminelëve të luftës, të cilët morën pjesë në masakra, shkruan “Balkan Insight”.

Këto organizata kërkojnë gjithashtu ndërtimin e monumenteve për viktimat në Batajnicë si dhe ndërprerjen e praktikës së kthimit të kriminelëve të luftës në institucionet e vendit. Këto organizata shprehen se popullata shqiptare në Kosovë ka qenë e ekspozuar si ndaj bombardimeve të NATO-s, ashtu edhe ndaj krimeve të regjimit të Slobodan Millosheviç.

(d.xh – BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb