SERBI-Urdhrin që përmes vendkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë të mos lejohet futja e fotografive me pankarta me mbishkrimin “UÇK” e ka bërë ministri i Brendshëm i Serbisë Nebojsha Stefanovic, me arsyetimin se “nën mantelin e artit është dashur të promovohet organizata terroriste”, respektivisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, njoftoi Ministria e Brendshme serbe.


“Vendimin e mori personalisht ministri Stefanovic, ndërsa bëhet fjalë për fotografi në të cilën shihet transparent logoja e UÇK-së terroriste”, thonë nga ministria serbe, njofton Gazeta Express.


Në njoftim nuk jepen arsyetime pse janë ndaluar dy fotografitë e tjera të artistes kosovare Eliza Hoxha – njëra me transparent me vargun e poezisë së Ali Podrimjes “Kosova është gjaku im që nuk falet” dhe tjetra me flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë – si dhe të gjithë katalogët e Hoxhës, dedikuar ekspozitës në kuadër të manifestimit kulturor “Mirdita, dobar dan”, që prej sot deri më 2 qershor mbahet në Beograd.


Edicioni i pestë i manifestimit “Mirdita, dobar dan”, që mbahet në organizim të OJQ-së të rinjtë për të Drejtat e Njeriut, edhe sivjet hasi në reagime të shumta negative nga subjekte të ndryshme politike dhe qytetare serbe.

Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit porositi se ajo do ta ndalojë mbajtjen e manifestimit kushtuar artit kosovar, nëse këtë nuk e bën shteti serb.

Organizatorët porositën se “nuk do të lejojnë që partia e një të dënuari për krime lufte t’i mësojë se çka duhet dhe çka s’duhet të shikojë publiku i Beogradit”.

(BalkanWeb)