Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Serbisë lidhur me marrëveshjen tripalëshe të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë. Në një qëndrim zyrtar, MPJD i cilësoi këto deklarata si agresive, kërcënuese dhe një shkelje të hapur të Marrëveshjes së Brukselit, të cilën Serbia pretendon se e pranon, por refuzon ta nënshkruajë.
Sipas MPJD-së, Serbia po minon marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe po përpiqet të pozicionohet si një fuqi dominuese në Ballkan, duke ndërhyrë edhe në politikat e dy vendeve sovrane si Kroacia dhe Shqipëria, të dyja anëtare të NATO-s.
Në reagimin e saj, MPJD akuzon Serbinë se, përkundër pretendimeve për neutralitet dhe garantim të paqes, vazhdon të luajë një rol kyç në destabilizimin e rajonit. Ministria përmendi rolin e drejtpërdrejtë të Serbisë në luftërat e viteve ‘90, genocidin dhe spastrimin etnik në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, si dhe kërcënimet e saj të vazhdueshme ushtarake pranë kufijve të Kosovës.
Gjithashtu, MPJD denoncoi bashkëpunimin e thelluar politik dhe ushtarak të Serbisë me Rusinë dhe Iranin, vende të cilat cilësohen si kërcënime për stabilitetin në Evropë dhe më gjerë.
Ministria e Jashtme e Kosovës e ka sfiduar Serbinë që, përpara se të lëshojë deklarata agresive, të hapë arkivat e klasifikuara të kohës së luftës, në mënyrë që të hidhet dritë mbi krimet e saj në Kosovë. Veçanërisht, MPJD kërkon hapjen e arkivave të Brigadës së 38-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila është përgjegjëse për disa nga masakrat më të rënda gjatë viteve 1998-1999.
Në përfundim, MPJD theksoi se Kosova nuk do të frikësohet nga kërcënimet e Serbisë dhe do të vazhdojë të forcojë sigurinë dhe aleancat e saj ndërkombëtare. Për Kosovën, MPJD shprehet se rruga e vetme drejt stabilitetit dhe pajtimit në Ballkan është njohja e pavarësisë nga Serbia dhe ndëshkimi i përgjegjësve për krimet e luftës.