Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut, i ka dorëzuar Gjykatës Themelore “Shkupi1” kërkesën e Serbisë, për ekstradimin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina.

Siç bëhet e ditur nga gjykata, ministria ka dorëzuar gjithë dokumentacionin lidhur me procedurën e ekstradimit të Tomor Morinës, të cilit më 25 korrik, iu caktua masa e paraburgimit.

Gjykatësi i procedurës paraprake do të veprojë në përputhje me dispozitat ligjore, dhe Gjykata më pas, përgjigjen do t’ia dërgojë ministrisë së Drejtësisë, që është përgjegjëse për procedurën e mëtejmë të ekstradimit.

Gjykata penale gjithashtu njoftoi se i ka lejuar një delegacioni të ambasadës së Kosovës që të vizitojë Morinën, i cili ndodhet në burgun e Shkupit.

Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarresti të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.
Morina dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 viteve, si pjesëtar i UÇK-së, ka bërë krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb