BEOGRAD- Palestinezi i fuqishëm Mohammed Dahlan, një sekser për investimet nga Gjiri Persik në Ballkan, familja dhe pesë mbështetës të tij, u bënë shtetas serbë ndërsa lufta e tij për pushtet me presidentin Mahmud Abas sa vjen e përshkallëzohet. Sipas Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), qeveria e Serbisë pa zhurmë i dha shtetësinë Muhamed Dahlanit, rivalit kyç të presidentit palestinez Mahmud Abas dhe këshilltarit të princit trashëgimtar të Abu Dhabit.
Dahlan, gruaja dhe katër fëmijët e tij, një nip dhe pesë mbështetës kryesorë politikë fituan nënshtetësinë në periudhën midis shkurtit 2013 dhe qershorit të vitit 2014, sipas dokumenteve nga Gazeta Zyrtare e shtetit të analizuara nga BIRN-i. Qeveria mund të japë shtetësi për të huajt në seanca të mbyllura të kabinetit, nëse kjo konsiderohet se është “në interesa të shtetit”, pa dhënë shpjegime të hollësishme publike. Dahlan ka merita për lehtësimin e investimeve të premtuara të Abu Dhabit në vlerë prej miliarda eurosh në Serbi.
Megjithatë, qeveria në Beograd nuk ka pranuar të japë shpjegime nëse kjo është arsyeja për dhënien e shtetësisë për 12 palestinezët që nga viti 2013, ku të gjithë kanë lidhje me politikanin e fuqishëm. Vëzhgues me përvojë të çështjeve të Lindjes së Mesme sugjerojnë që Dahlani mbase planifikon ta shfrytëzojë Serbinë si bazë për të nisur sfidën e tij kundër Abasit, liderit aktual të Autoritetit Palestinez (AP).
Dahlan, ish-shef i sigurisë së Autoritetit Palestinez është konsideruar nga shumë njerëz si trashëgimtari i qartë i Jaser Arafatit, por humbi para Abasit. Ai u përzu nga partia politike Fatah në vitin 2011, pasi Abasi e akuzoi atë për korrupsion dhe madje la të kuptohej se mund të ketë qenë i përfshirë edhe në vdekjen e Arafatit. Autoriteti Palestinez ngriti padi për shpifje kundër Dahlanit, i cili në atë kohë jetonte në mërgim në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), pasi ai kritikoi lidershipin e Abasit dhe forcat e sigurisë së Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor.
Në mars të vitit 2014 ai u dënua me dy vjet burgim në mungesë. Mijëra mbështetës të tij dolën në rrugët e Gazës në dhjetor, për të protestuar kundër hapjes së një tjetër çështjeje gjyqësore kundër Dahlanit, këtë herë se dyshohej të kishte përvetësuar 22 milionë dollarë.
Këtë javë ka pasur përleshje të tjera në Gaza ndërmjet mbështetësve të Fatahut dhe atyre të Dahlanit. Një zëdhënës i presidentit Abas tha për BIRN se kishin gjithashtu prova që Dahlani kishte urdhëruar vrasjen e gjashtë palestinezëve të tjerë, akuza të cilat priteshin të gjykoheshin në një gjykatë penale në muajin shkurt. Ai shtoi se autoritetet palestineze do t’i dërgojnë një letër proteste qeverisë serbe, duke i kërkuar të rishqyrtojë vendimin për dhënie të nënshtetësisë së tyre. Ai tha: “Këto nuk janë fjalë. Kjo është një çështje gjyqësore me të gjithë dëshmitarët dhe dokumentet e duhura.” Dahlani ka mohuar publikisht akuzat, por nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve të dërguara nga BIRN. Mbështetësit e tij i konsiderojnë çështjet gjyqësore si asgjë më shumë sesa “procese për shfaqje” dhe të motivuara politikisht. BIRN gjithashtu arriti të zbulojë se Dahlani po merr me qira një vilë luksoze në një lagje ekskluzive të Beogradit të parapëlqyer nga diplomatët.
Në këtë vilë, e cila deri kohët e fundit ishte shtëpia e ish¬-presidentit serb Boris Tadiç, është shtuar siguria para mbërritjes së Dahlanit në Beograd.

Nënshtetësia ‘si shenjë mirënjohjeje’
Qeveria serbe ka refuzuar t’i përgjigjet kërkesave të BIRN-it për një shpjegim se pse ajo i ka dhënë nënshtetësinë Dahlanit, familjes dhe pesë mbështetësve të tij. Por, Dusan Simeonovic, ish-ambasador në Egjipt dhe Palestinë, tha për BIRN se kjo lëvizje ishte e qartë që “ishte një shenjë mirënjohjeje për rolin e Dahlanit në realizimin e investimeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe”. Duke anashkaluar procesin standard, sipas Ligjit për Nënshtetësinë, qeveria mund t’i japë nënshtetësinë një individi, nëse kjo konsiderohet të jetë në interesin kombëtar të Serbisë. Sipas këtij sistemi, një ministër propozon emrin, i cili pastaj votohet në seancë qeveritare me dyer të mbyllura.
Vendimi nënshkruhet nga kryeministri ose zëvendësi i tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare. Ky proces ka nxitur polemika në një sërë rastesh, përfshirë edhe vitin e kaluar kur Sergej Kurçenko, një biznesmen ukrainas nën sanksione të BE-së, u bë shtetas serb pas një vendimi të qeverisë. Ministri i brendshëm serb nuk iu përgjigj kërkesave tona për konfirmimin e raporteve të medias se nënshtetësia e Kurçenkos ishte revokuar pas presionit publik. Ky sistem është përdorur 52 herë në pesë vitet e fundit, më shpesh për t’u dhënë pasaporta muzikantëve, sportistëve dhe grave.
BIRN nuk arriti të gjejë ndonjë provë se personat që fituan nënshtetësinë përveç vetë Dahlanit dhe nipit të tij Shadi, kishin ndonjë lidhje me Serbinë apo e kishin vizituar ndonjëherë atë. Megjithatë, të gjithë janë të lidhur ngushtë me Dahlanin. Një studim botëror i rregullave të nënshtetësisë zbuloi se skemat për dhënien e pasaportave për “arritje të veçanta” janë të zakonshme.
Por një studim i Observatorit të Demokracisë së Bashkimit Evropian për Nënshtetësinë gjithashtu tregon se shumica dërmuese e vendeve aplikojnë kritere të tjera, siç janë banimi, dosje e pastër penale apo njohuri të mirë të gjuhës. Pozicioni i Serbisë ndryshon në faktin se politikanët mund të aprovojnë nënshtetësi për sa kohë ajo i shërben “interesit shtetëror”, pa kushte të mëtejshme. Mali i Zi hoqi dorë nga planet e tij për të dhënë nënshtetësi në këmbim të një investimi prej 500,000 eurosh pas presionit të BE-¬së dhe në vend të kësaj, tani ka një program të ngjashëm me atë të Serbisë.
Një zëdhënës i presidentit palestinez tha për BIRN se ata do t’i shkruajnë kryeministrit dhe presidentit serb duke u bërë thirrje që qeveria ta “ndalojë” vendimin e saj për dhënien e nënshtetësisë Dahlanit dhe grupit të tij. Ai tha: “Sipas të gjitha rregullave kombëtare dhe ndërkombëtare, kur dikush dëshiron të marrë një pasaportë nga një shtet tjetër, qeveria duhet të bëjë verifikime për t’u siguruar që kanë dosje dhe histori të pastër penale dhe jo thjesht t’ia japinë atë. Ata nuk e kanë pyetur palën palestineze për historinë e tyre apo nëse ata janë kriminelë apo jo”.
Nënshtetësia malazeze e Dahlani
Interesimi i Dahlanit për Ballkanin duket të ketë nisur në vitin 2006 kur ai, vëllai i tij i madh Abdrabou dhe nipërit e tij filluan të hapin kompani pronash të patundshme dhe firma ndërtimi në Serbi dhe Mal të Zi. Sipas dokumenteve të regjistrit të kompanive të siguruara nga BIRN, Abdrabou Dahlan ngriti kompaninë e pasurive të patundshme “Alfursan” në vitin 2006 në Beograd dhe pastaj u shiti disa prej aksioneve djemve të tij, përfshirë Shadi Dahlanin. Shadi gjithashtu drejton biznesin “Levant International” në Mal të Zi që është në pronësi të xhaxhait të tij Mohammed.
Ka pak informacione në lidhje me aktivitetet afariste të tyre në Ballkan. Ata nuk kanë bërë deklarata publike dhe dokumentet e dorëzuara në regjistrat e kompanive në të dyja vendet, të cilat i ka mbledhur BIRN, tregojnë se edhe pse kompanitë kanë kapital të konsiderueshëm, xhiroja e tyre është minimale. Përveç kësaj, anëtarët e familjes mbretërore nga Abu Dhabi filluan ta vizitojnë Malin e Zi në vitin 2008 duke kërkuar mundësi investuese dhe sipas raportimeve të shtypit në atë kohë, Dahlan ishte në mesin e shoqëruesve.
Në vitin 2010, Dahlanit dhe gruas së tij iu dha nënshtetësi malazeze, edhe pse fëmijët e tij u refuzuan me arsyetimin se personat në varësi ekonomike nuk janë pjesë e skemës së “interesit shtetëror”. Dokumentet zyrtare tregojnë se dhurata iu bë me urdhër të kryeministrit malazez Milo Gjukanoviç, i cili e përshkroi Dahlanin në parlament si një “mik”. Në letrën e tij ku Dahlanin, gruan dhe katër fëmijët e tij për dhënie nënshtetësie, Gjukanoviç shkroi se palestinezi në fjalë ishte përgjegjës për ndërtimin e urave me familjen mbretërore Al Nahyan nga Abu Dhabi dhe “për ardhjen e tyre në Mal të Zi”, e cila solli investime të rëndësishme.
“Zoti Dahlan është një nga njerëzit më të respektuar në atë pjesë (Lindjen e Mesme) të botës dhe prandaj unë mendoj se duhet t’i japim atij dhe familjes së tij nënshtetësinë e Malit të Zi”, shkroi kryeministri Gjukanoviç.
Dahlan dhe Abu Dhabi
Duket se pas kësaj vëmendja e Dahlanit u zhvendos në Serbi, ku ai ndihmoi në krijimin e lidhjeve të reja diplomatike dhe ekonomike midis princit trashëgimtar të Abu Dhabit, sheikut Mohammed bin Zayed Al Nahyan dhe qeverisë – të drejtuara në korrik 2012 nga socialisti Ivica Daçiç dhe zëvendësi i tij i fuqishëm nga progresistët, Aleksandar Vuçiç, tani kryeministër. Dahlani u dekorua nga presidenti Tomislav Nikoliç me Medaljen e Flamurit Serb në prill të vitit 2013 për rolin e tij në “zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe marrëdhënieve miqësore midis Serbisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”, sipas dekretit.
Zyra e presidentit refuzoi të japë hollësira mbi këtë në pyetjet e BIRN¬-it, duke shtuar vetëm se Dahlan ishte “bashkëpunëtor i ngushtë i sheikut Mohammed bin Zayed, i cili kishte kontribuuar në investime nga Emiratet e Bashkuara Arabe”. Vuçiç dhe Ministri i atëhershëm i Financave dhe Ekonomisë, Mladjan Dinkiç, vizituan Abu Dhabin në tetor 2012, ku u takuan me princin trashëgimtar. Princi trashëgimtar sheiku Mohammed bin Zayed pastaj vizitoi Beogradin në janar të vitit 2013, ku u takua me Nikoliçin dhe vizitoi stadiumin e klubit “Ylli i Kuq” në Beograd me Vuçiçin dhe Dahlanin.
Vuçiç u kthye në Abu Dhabi në shkurt dhe tetor të vitit 2013, ndërsa Dinkiç në mars 2013. Serbia hapi ambasadën e saj në Abu Dhabi në gusht të vitit 2013.
“Interesat e përbashkët” Lindje e Mesme – Ballkan
Ndoshta ilustrimi më i qartë i marrëdhënieve të ngushta mes Dahlanit, Gjukanoviçit dhe Vuçiçit u publikua në muajin mars të vitit 2014 në “Inlight Press”, portal arab lajmesh pro ¬Dahlanit, i cili u raportua se ishte bllokuar në Bregun Perëndimor nga Abasi më 2012. Lajmi i publikuar raportonte se Dahlan kishte arritur në Beograd nga Kajro për të takuar anëtarë të qeverisë, dy ditë pasi progresistët e Vuçiçit shpallën fitore në zgjedhjet parlamentare. Në një fotografi që shoqëronte artikullin, ai shihej i mbështetur në një divan bashkë me kryeministrin e sapozgjedhur Vuçiç dhe kryeministrin malazez Gjukanoviç.
Në një tjetër fotografi të publikuar në të njëjtin artikull, Dahlan shihet duke qeshur bashkë me Vuçiçin. Sipas këtij lajmi, ata diskutuan për “interesat e përbashkëta” në Ballkan dhe Lindjen e Mesme. Kjo marrëdhënie luajti rol kyç në finalizimin e një sërë marrëveshjesh ndërqeveritare të nënshkruara ndërmjet Serbisë dhe Abu Dhabit, të cilat premtonin miliarda euro investime përmes kompanive të lidhura me familjen në pushtet. Por këto marrëveshje rezultuan kontradiktore. “Etihad Airways” bleu 49 për qind të aksioneve të linjës ajrore “JAT” më 2013, ndonëse u ngritën shqetësime nëse tatimpaguesit serbë morën vlerën më të mirë për para nga shitja e gati gjysmës së ndërmarrjes shtetërore. Bujqësia e Al Dahras duhet të investonte 150 milionë euro përmes fermave shtetërore, sipas një marrëveshjeje të publikuar të nënshkruar me qeverinë serbe. Por pas protestave që nxiti kjo marrëveshje, firma nga Abu Dhabi vendosi të blejë aksione në një kompani në pronësi të manjatit serb Vojin Lazareviç.
Marrëveshje të tjera të mëdha në lidhje me bujqësinë, armët, teknologjinë dhe portet janë nënshkruar me kompani të lidhura me familjen mbretërore, sipas deklaratave të qeverisë serbe. Gjithashtu është paralajmëruar një projekt të madh me vlerë prej 2.8 miliardë eurosh i quajtur “Belgrade Waterfront”, një ortakëri kjo midis qeverisë serbe dhe një firme me bazë në Dubai. Pavarësisht propozimeve mbresëlënëse, pak investime konkrete janë vërejtur në terren.

E ardhmja e Dahlanit

Xhonatan Shnazer, zëvendëskryetar i një grupi ekspertësh në Uashington ‘Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive’, paraqiti një përshkrim të detajuar të konfliktit Dahlan¬Abas në një deklaratë për Kongresin, ku citohej se pasuritë e Dahlanit në Jordani ‘kapin shumën e 14.1 milionë dollarësh ose edhe më shumë’. “Akuzat kundër Dahlanit për korrupsion nuk mund të kundërshtohen lehtësisht,” shkroi ai në raport. “Gjatë kulmit të procesit të Oslos në vitet 1990, ai dhe një grup ndjekësish të Arafatit kontrollonin kufirin e Gazës me Izraelin, duke vjelë taksa nga çdo kamion që hynte”.
Shnazer gjithashtu vuri në dukje se një raport 118 faqesh i publikuar nga kampi i Abasit, pretendonte që Dahlani kishte vjedhur “300 milionë dollarë të ndihmave të Shteteve të Bashkuara”. Dahlani gjithmonë ka pretenduar pafajësinë e tij, por refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve të BIRN të dërguara nëpërmjet avokatit të tij parizian, Sevag Torosian. Avokati i tij tha për BIRN se akuzat për korrupsion ndaj Dahlanit që janë paraqitur në gjykatë, ishin “probleme kontabiliteti”. Ai tha: “Për sa i përket akuzave dhe asaj që kemi dëgjuar në gjyq, çdo avokat dhe madje çdo student i drejtësisë do të kishte të njëjtën pyetje: Çfarë lidhje ka kjo me “korrupsionin”? Ai shtoi: “Unë nuk përzihen me politikën, por megjithatë vë re se Dahlani është kundërshtari kryesor politik dhe pasardhës i mundshëm në rrugën e z.Abas. Ky është sulmi i tretë i Abasit mbi Dahlanin, që ka vetëm një qëllim: parandalimin e kthimit të Dahlanit në Palestinë”.
Grant Rumley, një koleg i Shnazerit dhe ekspert në çështjet palestineze, tha se zbulimet e BIRN-it sugjerojnë se Serbia mund t’i ketë siguruar një bazë Dahlanit prej nga ai mund të nisë “përpjekjen e tij për rrëzimin e Abasit”. “Abas di se Dahlani është rivali dhe kërcënimi më i madh,” tha ai për BIRN. “Fakti që Dahlani do të strehohej në një vend si Serbia është me rëndësi, sepse palestinezët kanë pasur marrëdhënie të gjata dhe të ngushta me serbët dhe Dahlani mbase po përpiqet të bindë një aleat tradicional të Abasit në anën e tij. “Nënshtetësia serbe i jep Dahlanit dhe shoqëruesve të tij përparësinë e një tjetër baze operacionesh.
Lindja e Mesme është e trazuar dhe Dahlani nuk mund të jetë gjithmonë në zemërgjerësinë e Emirateve të Bashkuara Arabe, prandaj edhe streha e tij dhe kolegëve të tij në Evropë e forcon dorën e tij. “Përveç kësaj, kjo e bën më të lehtë që Dahlani të takohet me zyrtarë perëndimorë dhe izraelitë në kryeqytetet evropiane, siç edhe raportohet se ka vepruar”. Me pasaporta serbe, Dahlani dhe grupi i tij tani mund të udhëtojnë pa viza në të gjithë BE¬në, përveç se në Mbretëri të Bashkuar dhe Irlandë.
Ministria e Brendshme refuzoi t’i tregojë BIRN-it nëse ndonjë nga shtetasit e rinj kishin marrë pasaporta. Gazetari ndërkombëtarisht i njohur Xho Klajn shkroi në Revistën “Time” në janar për një takim të fshehtë midis ministrit të Jashtëm izraelit, Avigdor Liberman dhe Dahlanit në Paris. A kishte udhëtuar Dahlani me pasaportë serbe? Ndoshta këtë nuk do ta dimë kurrë, por fakti që mund të shtrohet kjo pyetje është i jashtëzakonshëm në vete.
Vila në Dedinje
Prapa murit të lartë rrethues të sigurisë dhe kamerave të sigurisë gjithandej, gjendet vila luksoze në pronësi të shtetit, në lagjen elite të Beogradit, “Dedinje”, dikur e banuar nga ish-¬presidenti serb Boris Tadiç. Këtu Tadiç u vendos pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale nga Tomislav Nikoliç, kandidat i Partisë Progresive të Serbisë, në vitin 2012. Shtëpia administrohet nga “Dipos”, një kompani shtetërore e specializuar në qiradhënien e vilave luksoze për misionet diplomatike.
Gjatë kohës së Tadiçit atje, ajo kishte pamje krejt tjetër, ndryshe nga kalaja e sotme që kur Dahlani e mori me qira në shkurt të vitit 2014. Rreth 50 mijë euro janë shpenzuar për përmirësime të masave të sigurisë dhe rinovimin e shtëpisë, duke përfshirë edhe kamerat e sigurisë që monitorojnë rrugët përreth saj, sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN.
Dahlani nënshkroi një kontratë, të cilën BIRN gjithashtu mundi ta siguronte, me agjencinë qeveritare për ta marrë vilën me qira për 3,600 euro në muaj deri në vitin 2022. Kontrata është miratuar nga Drejtoria Serbe e Pronave, meqë shtëpia luksoze është në pronësi të shtetit. Nuk dihet se sa shpesh ka qëndruar Dahlani aty apo nëse ajo është shtëpia e tij kryesore. Shtëpia është vetëm dy dyer larg ambasadës së re palestineze, e përfunduar në verën e vitit 2014. Nën udhëheqjen e komunistit Tito, Jugosllavia mbajti marrëdhënie të ngushta dhe miqësore me Palestinën dhe refuzoi të njihte Izraelin deri në vitin 1991. Ambasada është planifikuar të hapet në muajt e ardhshëm.

 

(BIRN/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: