Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë i ka kundërshtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimin Evropian se me dy projektligjet e saj për Kosovën po shkel detyrimet nga dialogu. Qeveria serbe të hënën miratoi projektligjin për juridiksionin gjyqësor në Kosovë dhe atë për shpalljen e Kosovës “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.
Ministria është munduar të arsyetojë se do përmirësim të jetesës së njerëzve duke insistuar, përkundër kritikave të ndërkombëtarëve, se nuk ka shkelur zotimet e dala nga dialogu.
“Legjislacioni në fjalë është në të vërtetë për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë shoqërore të popullit serb në Kosovë, duke qenë në linjë me përkushtimin tonë më të gjerë për stabilitet në rajon. Edhe me rezolutën e Kombeve të Bashkuara, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme, përmes së cilës BE-ja mori rolin e ndërmjetësuesit në dialog, thuhet se dialogu duhet të ketë synim përmirësimin e jetës së njerëzve. Me masat e propozuara, Beogradi kërkon të arrijë pikërisht këtë qëllim – të përmirësojë kushtet e jetesës dhe kualitetin e jetës së serbëve në Kosovë”, thuhet në reagimin e MPJ-së serbe në platformën X.