SERBI- Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliç, ka paralajmëruar se në fillim të muajit maj do të paraqesë platformën e re shtetërore për Kosovën.

Ai ka theksuar se askush nga Bashkimi Evropian nuk ia ka parashtruar si kusht Serbisë njohjen e Kosovës, por kur bëhet fjalë për anëtarësimin e Serbisë në BE, siç ka thënë ai “gjithçka thyhet në Kosovë”.

Sipas tij, nga Serbia është kërkuar që të nënshkruhen marrëveshjet me Prishtinën, për të rregulluar marrëdhëniet e ndërsjella. “Gjermania nuk do të heqë dorë nga kjo dhe tashmë ky është mendimi që dominon në Evropë”, ka thënë ai.

“Menjëherë pas festës së 1 Majit, platforma do të duhej të gjendet në tavolinën e kryeministrit. Qeveria do të tregojë nëse ky plan është i realizueshëm ose jo. Më pas, ministrat do të vendosin formalisht se a do ta dërgojnë në Kuvendin e Serbisë atë propozim apo propozimin e ndryshuar”, ka theksuar Nikolic.

Ai ka shtuar se qëndrimi i Kosovës është se ajo është e pavarur dhe se e kanë mbështetjen e vendeve që e kanë njohur, ndërkohë që qëndrimi i Serbisë është një Kosovë me autonomi esenciale në kuadër të Serbisë. Me qëndrime të tilla të kundërta, sipas tij, nuk duket në horizont një marrëveshje përfundimtare.

Nikolic ka theksuar se Serbia i ka përmbushur kushtet për hapjen e kapitullit 34, por bisedimet me Bashkimin Evropian nuk po fillojnë.

“A na është imponuar kapitulli 35, në mënyrë që kurrë të mos hyjmë në Bashkimin evropian?”, ka pyetur Nikolic, duke shtuar se, mbase dikush ka pritur që Serbinë do ta udhëheqin njerëzit që do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.

Por, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka theksuar se Kosova gjithmonë është temë e Bashkimit Evropian.

Lidhur me pritjet e tij se çfarë përmbajë platforma, të cilën kryetari serb Nikoliç, ka paralajmëruar se do t’ia dërgojë qeverisë, Vuçiç thekson: “Kryetari Nikoliç është mjaft mirë i njoftuar me atë se çfarë kërkohet nga Serbia, ashtu siç edhe ne e dimë. Unë nuk e kam fshehur kurrë këtë nga ju dhe as qeveria. E keni dëgjuar Steinmeier (ministër i jashtëm gjerman), qe thotë ‘jam i impresionuar me reformat në Serbi. Nuk kanë vërejtje për këtë”, tha Vuçiç.

Ai ka shtuar se është folur edhe për kushte të marrëveshjes më Kosovën. “Ata kanë vërejtje lidhur me atë se a mundemi ne që të arrijmë marrëveshje për energjetikën dhe unë ia kam thënë kushtet me të cilat mundemi dhe ato me të cilat nuk mundemi”, ka thënë ai.

“Ashtu siç kanë menduar disa se mund të na e marrin Gazivodën 100 për qind, kjo nuk mund të ndodhë dhe nuk dua për këtë të bisedoj. Bisedojmë për ‘Parkun e paqes në Mitrovicë dhe bisedojmë për Bashkësinë e komunave serbe. Këto janë tema dhe këto nuk janë sekret. Nëse mendoni se ka tema tjera për Kosovën, ju them se nuk ka”, ka thënë Vuçiç.

Ndërkaq, Bojan al-Pinto Bërkiç nga Forumi për marrëdhënie ndërkombëtare, vlerëson se ajo që propozon kryetari serb Nikoliç, nuk është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.

Por, megjithatë, sipas tij, duhet pasur parasysh shumica e pikave të kësaj marrëveshje nuk janë zbatuar.

“Në njëfarë mënyrë, Bashkimi Evropian po u bën presion Beogradit dhe Prishtinës, që të mos mbeten prapa me zbatimin e marrëveshjes, ndërkohë që po flitet dhe për nj marrëveshje të dytë të Brukselit, përmes së cilës do të definoheshin disa çështje tjera”.

“Kryetari Nikoliç, duke e parë që nuk ka ardhur deri te zbatimi i plotë e marrëveshjes, propozon diçka që mundtë quhet si ‘perspektivë serbe’ e zbatimit të mundshëm të marrëveshjes së Brukselit”, tha Bërkiç.

Megjithatë, ka shtuar ai, kjo ‘perspektivë serbe’ nuk do të jetë e pranueshme për Kosovën, por as perspektiva e kësaj të fundit për zbatimin marrëveshjes, nuk është e pranueshme për Serbinë. Bashkimi Evropian, sipas tij, po përpiqet që t’i përafrojë këto dy perspektiva.

Ndryshe, presidenti serb Nikoliç, ka thënë se ideja thelbësore e platformës së re për Kosovën është se Serbia nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e saj. Gjithashtu ai ka thënë se Serbia do të propozoj “autonominë e Bashkësisë së komunave serbe, në kuadër të institucioneve të përkohshme të Kosovës, si dhe lidhjet institucionale me Serbinë”.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: